Politika amerikane bëhet bashkë, Senati kalon në parim planin 3.5 trilion dollarë të shpenzimeve
Republikanët dhe Demokratët janë bërë bashkë në Senatin amerikan për të miratuar një plan shpenzimesh prej 3.5 trilion dollarësh.
Dakordësimi mes palëve është duartrokuitur nga shumë analistë amerikanë, ndërsa vetë presidenti amerikan Joe Biden e ka quajtur historike këtë marrëveshje.
Me një votim të ngushtë 50 pro dhe 49 kundër, Senati i hapi rrugën investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe në transport publik si dhe mbulim më të mirë me internet për qytetarët amerikanë.
Mediet amerikane shkruajnë se pjesë e debatit kanë qenë edhe nisma të tjera për të luftuar më shumë ndryshimet klimatike dhe varfërinë.
Më herët, të martën, pas muajsh të tërë debatesh, Senati miratoi një faturë 1 trilion dollarëshe për infrastrukturën, ku përfshihen rregullimi dhe mirëmbajtja e rrugëve tokësore dhe detare, urave dhe aeroporteve anekënd Amerikës.
Demokratët kanë propozuar gjithashtu edhe nisma për krijimin e lehtësirave të mëdha në arsimin parashkollor, strehim të përballueshëm për të gjithë dhe zhvillimin e teknologjive miqësore me klimën.
Analistët amerikanë thonë se demokratët janë të interesuar dhe projektligjet e propozuara kanë qenë një përparësi kryesore për presidentin Biden, sepse ekzistojnë frikërat për një humbje të kontrollit të Kongresit në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2022.
Republikanët ndërkaq kanë rezervat e tyre në këtë plan të madh, ndërsa thonë se duan të ruajnë ekonominë amerikane nga rritja e borxhit.
Shtatori pritet të jetë i nxehtë për debatet politike edhe në Amerikë, ndërsa vendi bëhet gati për zgjedhje, por edhe për paketa të mëdha investimesh.

