Biden, liderëve afganë: Ne i humbëm mijëra amerikanë, tani luftoni vetë për kombin tuaj

Kryengritësit talibanë po i zgjerojnë në vijmësi territoret e pushtuara në Afganistan dhe kontrollojnë 65 për qind të vendit.

Të mërkurën, 11 gusht, forcat qeveritare afgane dorëzuan edhe qytetin e nëntë brenda javës, Faizabadin në veri, pas Farahut, Pul-e-Kumrit dhe Kunduzit po në veri, një pikë strategjike për pasuritë minerale dhe afrinë kufitare me Taxhikistatin.

Ushtarakët amerikanë parashikojnë që me këtë ritëm, edhe kryeqyteti Kabul mund të bjerë në dorën e talibanëve pas 90 ditësh.

Presidenti Xho Bajden u bëri të martën thirrje afganëve të luftojnë për të mirën e vet.

"Liderët afganë duhet të bëhen bashkë. Ne i humbëm me mijëra amerikanë, që vdiqën ose u plagosën aty. Tani të luftojnë për veten e tyre, të luftojnë për kombin e tyre."

Trupat amerikane janë tërhequr thuajse të gjitha nga Afganistani ndërsa forcat aleate të NATO-s u larguan pas shpalljes së vendimit në muajin maj.

Presidenti Bajden deklaroi se nuk është penduar për vendimin, pasi ata e kishin arritur me kohë objektivin pse e nisën luftën gati 20-vjeçare: për shkatërrimin e grupit terrorist Al-Kaeda.

Ushtria afgane javët e fundit e ka pasur të pamundur t'i luftojë talibanët në distriktet rurale dhe aktualisht po e përqendron rezistencën te qendrat e populluara, ku militantët vijnë me përforcime, siç pretendohet, edhe nga Pakistani.

Përballja luftarake mes palëve po zhvillohet në 25 nga 34 provincat afgane, që tashmë po zbrazen nga banorët të cilët i drejtohen Kabulit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se ka të dhëna se talibanët po kryejnë krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit gjatë ofensivës disamujore, ndërsa janë raportuar mbi 1 mijë civilë të vrarë.