Zjarret, mbi 40 viktima në Algjeri, shteti i fundit në Pellgun e Mesdheut që po lufton me flakët

Algjeria ka regjistruar mbi 40 viktima nga zjarret që pushtuan veriun e saj këtë javë. Katastrofat natyrore prej klimës vijojnë përhapjen nëpër botë. Në Greqi, ishulli i Evias raportoi mëngjesin e së mërkurës lehtësim të betejës me flakët.

Algjeria është bërë vendi më i fundit i Mesdheut që po lufton tragjikisht me zjarret, me një bilanc jetësh të humbura që e kalon shifrën 40.

Autoritetet thanë se mes viktimave numëruan të martën të paktën 17 civilë dhe 25 ushtarë që ishin thirrur për vatrat dhe evakuimin e banorëve.

Zonat mesdhetare të shtetit afrikano-verior e gjetën veten këtë javë papritur të izoluar nga flakët, por me dhjetëra pika që po e rrezikojnë u paraprinë nga temperaturat përvëluese dhe thatësira ekstreme.

"Zjarrin në mëngjes e pamë nga distanca dhe për dy minuta mbërriti këtu. Është e pabesueshme, e pakuptueshme si mund të përhapet një zjarr i tillë brenda ditës."

"I lutemi Zotit të na mbrojë ne popullin e Islamit. Atij ia kemi besuar shpëtimin dhe ata që vënë zjarret do i përgjigjen atij."

Disa zjarre të mëparshme masive në Algjeri i janë lënë si përgjegjësi zjarrvënies pa dashje dhe piromanëve, për të cilët është propozuar që të dënohen më ashpër deri 30 vite në burg, madje përjetë kur zjarret shkaktojnë viktima.

I nxehti ekstrem është bërë prej javësh faktor edhe për djegien e mijëra hektarëve tokë në Turqi, Greqi, në Amerikë dhe në Siberinë ruse.

Me qindra zjarrfikës evropianë e grekë janë lokalizuar në ishullin e madh të Evias ku të mërkurën pati më pak tym dhe fronte zjarri.

Qeveria greke ka kërkuar ndjesë që nuk mundi ta përballojë më mirë situatën, por nga ana tjetër po bën gati planet e rimëkëmbjes nga katastrofa natyrore, duke u premtuar deri 150 mijë euro familjeve që humbën shtëpinë nga zjarret, falje taksash; bizneset do kompensohen për 70 për qind të dëmeve dhe do u jepen subvencione fermerëve për qiramarrjen.

Moti i nxehtë rrezikon përhapjen e zjarreve edhe në ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës.

Përtej Atlantikut, në Kaliforni zjarri "Diksi" ka pushtuar një hapësirë rreth 2 mijë km katrorë.

Autoritetet amerikane thonë se rreth 80 për qind e sipërfaqes është jashtë kontrollit të zjarrfikësve.