Protesta kundër ekstradimit të Julian Assange drejt SHBA
Shumë qytetarë britanikë janë mbledhur këtë të mërkurë, 11 gusht, përpara gjykatës për të protestuar kundër ekstradimit të Julian Assange drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo që ra në sy në këtë protestë ishte edhe pjesëmarrja e ish-liderit të laburistëve britanikë, partia më e madhe opozitare, Jeremy Corbyn.
Më herët, në janar, gjykata vendosi që themeluesi i WikiLeaksit, nuk duhej të ekstradohej në Amerikë për t'u përballur me akuzat e spiunazhit sepse, sipas gjykatës britanike, ai do të ishte në rrezik të lartë për vetëvrasje. Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë apeluar vendimin dhe kërkojnë ekstradimin e tij nën akzuën e komplotit dhe nxjerrjes së informacioneve që cënojnë sigurinë kombëtare.
Përkrahësit e Assangeit u mblodhën të mërkurën përpara gjykatës, ndërsa ish -udhëheqësi i Laburistëve Jeremy Corbyn , e përshkroi Assangein si një reporter "në traditën e gazetarisë që nuk trembet" dhe këmbënguli se e vetmja gjë që ai kishte bërë përmes punës së tij ishte të nxirrte në pah "një të vërtetë që ishte e turpshme për Amerikën".
Akuzat ndaj themeluesit të WikiLeaks vijnë pasi ai publikoi qindra mijëra dokumente në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.
Julian Assange është shtetas australian dhe aktualisht po mbahet në Belmarsh në Londër në pritje të vendimit të Apelit për ekstradimin.
Ai u burgos në vitin 2019, pas shtatë vjetësh që qëndroi brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër, ku kërkoi azil për të shmangur ekstradimin në Suedi me akuzat për abuzim seksual. Kur Ekuadori i hoqi azilin, ai u arrestua.