“Dominon” varianti Delta, versioni i parë i koronavirusit s’është më i pranishëm në Shqipëri
Numri i lartë i infektimeve me koronavirus sipas ekspertëve të shëndetësisë lidhet me variantin delta i cili po qarkullon gjerësisht në vendin tonë.
Iris Hasibra, shefja e laboratorit të virologjisë në ISHP, thotë se tashmë ky version është bërë dominant, ndërsa nuk ka më shenja të llojit origjinal.
"Në vendin tonë qarkullon me dominancë më të madhe varianti Delta. Ka dhe raste të cilat rezultojnë të variantit britanik. Varianti i mëparshëm nga i cili filloi dhe kjo pandemi globale nuk po shihet aq shumë dhe kjo ka të bëjë me faktin e dominancës së varianteve të reja që lindin si pasojë e mutacioneve," tha Hasibra.
Pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të infektimeve, në Shqipëri nuk ka patur humbje jete. Sipas ekspertëve, ndonëse transmetohet më shpejt, Delta ka simptoma më të lehta.
"Me dy treguesit e rasteve të rënda, pra hospitalizimeve dhe fataliteteve mendohet që ka një transmetueshmëri 50% më të lartë sesa virusi britanik. Mendohet që situata është nën kontroll," shtoi Hasibra.
Aktualisht në Institutin e Shëndetit Publik kryhen të gjitha analizat për mostrat e dyshuara si variante të reja, dhe në çdo rast kur ka sinjale të pazakonta kërkohet konfirmimi zyrtar nga laboratorë të huaj.
"Ne nuk çojmë për sekuencim çdo mostër e cila rezulton pozitive në laboratorin tonë sepse nuk është ky qëllimi i sekuencimit. Në momentin që variantet e reja rezultojnë të transmetueshme në një komunitet të caktuar atëherë vazhdojmë monitorimin për të parë sinjale të tjera në lidhej me këto variante apo me mutacione që mund të kenë ndodhur në virusin origjinal," tha Hasibra.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri numri i të infektuarve kaloi shifrën 100, ndërkohë në spitalin infektiv janë të shtruar rreth 25 pacientë.
