CDC: Varianti Delta transmetohet edhe nga të vaksinuarit
Drejtoresha e Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve CDC, Dr. Rochelle Walensky tha se të dhënat e fundit mbi mutacionet e Covid-19 janë shqetësuese, pasi edhe ata që janë plotësisht të vaksinuar mund të infektohen me variantin e ri Delta dhe madje ta transmetojnë atë tek njerëzit e tjerë.
Sipas CDC, lloji i ri i koronavirusit është një virus shumë ngjitës, siç është fruthi . Çdo rast i llojit Delta e transmeton virusin mesatarisht te 8 deri në 9 persona. Në krahasim me vitin e kaluar çdo rast i Covid-19 transmetonte virusin mesatarisht në dy persona.
Konkluzionet e mësipërme u referohen një dokumenti të brendshëm të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), i cili rendit propozimet për t'i dhënë publikut një mesazh më të qartë, për të bërë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit e shëndetit si dhe për t'u kthyer në përdorimin universal të maskave.
Gjetjet, bazuar në studimet shkencore, përfshihen në një prezantim që qarkullon brenda në CDC, që është agjencia kryesore shëndetësore e SHBA.
Dr Waleski thotë se CDC i bën apel qytetarëve të vaksinuar, se duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë, pasi ata potencialisht mund të jenë bartës të virusit dhe t’ua përcjellin të tjerëve.
Sigurisht, ai thekson se rritja më e madhe e rasteve vërehet në zonat me mbulim të ulët të vaksinimit dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që humbjet nga vala e re pandemike e koronavirusit të jenë sa më të vogla.

