Drita bën me “zemër” Feyenoordin, eliminohet me nder, Prishtina kalon mes “drithërimave”

Në minutat e fundit, vetëm pak minuta do t’i mjaftonin për të bërë histori. Drita eliminohet me nder pas një paraqitje të jashtëzakonshme në Rotterdam kundër një ekipi të madh e të njohur si Feyenoord. “Intelektualët" vunë në vështirësi shumë të madhe ekipin holandez teksa përmbysën avantazhin e Til me dy gola të shpejtë nga Simonovski në 12’ dhe Fazliu në 16’.

Një ndeshje shumë e mirë e nënkampionëve të Kosovës të cilët rezistojnë por barazohen në 68’ sërish nga Til dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt sërish Til i dha golin e avantazhit ekipit holandez. Mëkat i madh, të paktën për të shkuar deri në shtesa për Dritën pasi eliminimi i tyre ishte i padrejtë në këtë mënyrë.

Ndërkohë në Uells, Prishtina bëri një paraqitje jo aq të mirë sa në ndeshjen e parë pasi vinte nga një fitore 4-1 dhe rrezikoi shumë në fund teksa u mund 4-2 nga Connah’s Quay.

Kampionët e Kosovës e nisën mirë takimin ku me 2 gola të Krasniqit kryesuan 2-1 pas 45 minutave të para teksa në të dytën zhgënjyen dhe pësuan 3 gola të tjerë. Në fund djemtë e Ramadanit mundën të merrnin frymë lirisht pasi arritën ta mbyllnin ndeshjen 4-2 dhe kalojnë edhe me pak fat në turin tjetër ku tashme i pret një ekip shumë i fortë si Bodo Glimt, kampionët e Norvegjisë.