Brdariç entuziast: Me tifozët në krah jam i bindur për kualifikim në “Loro Boriçi”
Vllaznia ka një tjetër betejë të Enjten në orën 21:00 teksa në “Loro Boriçi” do të tentojë përmbysjen e dytë Europiane që do ta fuste në histori klubin shkodran.
Skuadra kuqeblu do të luajë shansin tjetër për të avancuar në raundin e tretë eliminator të Conference League ndaj AEL Limassol ndaj të cilëve u mundën 1-0 në ndeshjen e parë në Qipro dhe në këtë sfidë me ndihmën e tifozëve të zjarrtë do të tentojë përmbysjen e rezultatit. Trajneri Brdariç i ka idetë e qarta që duhet të bëjë një lojë sulmuese por edhe të mbrohet për të mos pësuar dhe konfirmoi se Liridon Latifi është gati për ta nisur ndeshjen si titullar.
Vllaznia nuk ka shkuar kurrë në raundin e tretë të Kupave të Europës, a është gati të shkruaj historinë?
“ E dimë këtë fakt, do të jetë sfidë shumë e bukur për ne dhe duam ta arrijmë. Jemi plot energji, jam krenar për këtë që kemi arritur, edhe Shkodra duhet të jetë krenare për çfarë kemi arritur në këtë faze të Conference League. Tani duhet të japim më të mirën që të shkojmë edhe më tej”.
Ishte humbje minimale në Qipro, mendoni se Vllaznia mund ta përmbysë këtë rezultat dhe ta kaloj turin?
“Po absolutisht, kemi analizuar ndeshjen e parë. Tani e kemi lënë pas ndeshjen në Qipro, jemi të përqendruar për të bërë disa ndryshime themelore dhe profesionale në nivelin e lojës, për të kuptuar nga gabimet, në mënyrë që të fitojmë. Kemi disa mënyra dhe zgjidhje sesi t’i mposhtim ata”.
Përveç Djurdjeviç ekipi duket i plotë, a janë gati të gjithë dhe AEL duket ekip i qartë taktikisht, a keni frikë se mund të jetë një armë e fortë për ta.
“Janë një ekip me më shumë buxhet, kanë rroga dhe kushte më të mira. Gjithsesi, ne treguam atje se jemi një ekip. Këtu kemi avantazhin e tifozëve. Lojtarët e mi janë gjithmonë të bindur dhe gjithmonë gati për të bërë atë që kërkoj unë. Duke llogaritur edhe tifozët, unë jam i bindur për fitore”.
Liridon Latifi duket se do të jetë në fushë nga minuta e parë më në fund?
“Latifi është një lojtar që më pëlqen shumë. Përmirësimi që ka bërë javët e fundit por edhe aftësitë që ai ka, do na çojnë në një nivel tjetër si ekip. Ai ka ardhur këtu për të mbështetur dhe për të ndihmuar ekipin me aftësitë e tij. Është një lojtar që vërtetë e kam qejf. Nesër do e fillojë si titullar, nesër ka mundësinë më të mirë për të treguar aftësitë e tij”.
Në fund trajneri Brdariç nuk la pa përmendur edhe ecurinë e Vllaznisë e cila sido që të shkojë ndeshja ndaj AEL do të jetë e suksesshme sipas tij.
“Një emocion i veçantë. Është një arritje e jashtëzakonshme që kemi bërë nga sezoni i kaluar. E pamë edhe Teutën, jo gjithmonë e përcakton rezultati i parë se kush do të kalojë. Unë jam me vetëbesim maksimal që do të kalojmë, por duhet një punë e fortë për të fituar këtë betejë”, përfundoi në konferencën për shtyp trajneri Brdariç.
