Lionel Messi zbarkon në Barcelonë por nuk mund të stërvitet me katalanasit

Përfundojnë pushimet për Lionel Messin. Kampioni i freskët me Argjentinën në Copa America, është rikthyer në Barcelonë, në shtëpinë e tij të dytë për të nisur një sezon të ri me katalanasit që gjithsesi nuk do të ndodhë edhe për disa ditë.

Pasi zbriti në aeroportin e El Prat me një avion privat, fillimisht ishin bashkëshortja e tij, Antonela me tre fëmijët që dolën nga aeroporti e më pas edhe Messi i shoqëruar nga punonjësit e sigurisë së ekipit të Barcelonës.

Messi u drejtua për në shtëpi ku duhet të qëndrojë disa ditë e të presë dhe nuk do të stërvitet ende me Barcelonën edhe pse i ka mbyllur pushimet në Miami e në Republikën Domenikane.

Ka një arsye që Messi nuk mund të dale në stërvitje me fanellën e Barcelonës, pasi ende nuk ka firmosur për katalanasit rinovimin dhe zyrtarisht ai është një lojtar pa skuadër.

Gjithsesi, firma me Barçën do të ndodhë, ndoshta në ditët në vijim me drejtuesit që po presin “OK” nga Liga e Futbollit të Spanjës e cila i ka vendosur kusht Barcelonës që të ulë buxhetin e pagave.

Për shkak të kësaj situate, Messi pranoi të firmoste për 5 sezone dhe jo për dy vite, pra paga e tij reduktohet në buxhet dhe ndahet në 5 vite në mënyrë që edhe klubi të lehtësohet nga bilanci pasi pandemia ka goditur shumë klubin katalanas.