Armando Sadiku lojtar i lirë, mbyll zyrtarisht aventurën në Bolivi

Mund të quhet e dështuar aventura e Armando Sadikut në Bolivi me ekipin e Bolivar. Sulmuesi shqiptar habiti jo pak para 6 muajsh kur u transferua në kampionatin e largët latin nga Erzurumspor por qëllimi ishte të shpërthente në gola në një ligë ku nuk është problem të shënosh.

Gjithsesi në 15 ndeshje të luajtura Sadiku arriti të shënonte dy gola, shumë pak për një lojtar si ai e për më tepër për një ekip si Bolivar që shënon rregullisht 3-4 gola për çdo ndeshje mesatarisht.

Klubi bolivian njoftoi përmes një komunikate zyrtare se ka mbyllur para kohe kontratën me sulmuesin shqiptar, me konsensus duke i dhënë fund bashkëpunimit.

Me mbylljen e kontratës, Sadiku mund të përfitojë nga merkato e veres si lojtar i lirë dhe të nënshkruaj me një ekip që do t'i ofrojë një projekt ambicioz teksa fakti që është i lirë lehtëson cdo procedurë transferimi.

Vitet e fundit Sadiku ka bërë mjaft mirë në Spanjë në Segunda Division dhe përflitet për një kalim te Las Palmas.