Tony Yoka hedh “nokaut” Messin: Një që renditet i treti në Spanjë, nuk mund ta fitojë Topin e Artë
Që pas fitimit të Copa Americas, Lionel Messi është shndërruar ne favoritin për të fituar Topin e Artë, kjo edhe në mungesë të rivalëve të tij që nuk ishin në lartësinë e duhur si Ronaldo ose Lewandowski. Ne debatin e gritur prej kohësh për çmimin që jepet nga revista prestigjoze franceze “France Football”, ka ndërhyrë boksieri francez, ish kampion olimpik dhe ish nënkampion bote, Tony Yoka.
Si admirues i futbollit ai numëron disa fakte që sipas tij Lionel Messi nuk mund ta fitojë dhe nuk e meriton “Topin e Artë”.
“Ne jetojmë në një kohë kur duam t'i japim Topin e Artë një lojtari që përfundoi i treti në La Liga, i eliminuar në raundin e 1/8 të Ligës së Kampionëve duke humbur 4-1 në shtëpi, 6 vite rresht duke u turpëruar në Champions League, i cili humbi finalen e Superkupës së Spanjës dhe tani po i japim këtë çmim vetëm sepse ai shënoi 4 gola kundër Kilit, Ekuadorit dhe Bolivisë!".
Janë shumë tifozë që e mendojnë si boksieri 29-vjeçar i cili vijon më tej të analizojë sezonin e Messit që sipas tij lë për të dëshiruar duke shtuar se nëse do ta fitonte Topin e artë do të ishte fitorja më e shëmtuar në histori.
"Ky event i Copa Americas, një garë me 2 grupe dhe 5 ekipe ku 4 më të mirët janë kualifikuar për çerekfinale nuk mund ta llogarisësh si kompeticion të fortë. 29 gola ka shënuar Messi në La Liga, 24 të shënuar kundër 7 ekipeve të fundit në kampionat. Nëse Messi e fiton atë, do të jetë Topi i Artë më i shëmtuar në histori. Të fitosh atë çmim me një sezon kaq të keq, duke shënuar gola që nuk i dhanë asnjë trofe ekipit tëndë..... 0 gol kundër Real Madrid për 4 vjet, 0 gol kundër Atlético Madrid, 0 kundër klubeve të mëdha, asgjë”, përfundoi boksieri francez.
Shumë tifozë i janë kundërvënë në rrjetet sociale boksierit 29-vjeçar i cili për të thënë të vërtetën ka bërë një analizë të saktë për sezonin e Messit por problem i vërtetë është se nuk ka rivalë të vërtetë dhe që të gjithë zhgënjyen.
