Giggs del para gjykatës, nuk i pranon akuzat për dhunë ndaj ish partneres

Ryan Giggs, ish lojtari i Manchester United, deklaroi se është i pafajshëm në gjykatën e Mançesterit këtë të Premten pasi ai dyshohet se ka keqtrajtuar ish-të dashurën e tij.

Ish sulmuesi legjendar i “Djajve të kuq”, Ryan Giggs ishte në gjykatë në Manchester të Premten me akuzën për sjellje agresive dhe shtrënguese, sulm duke shkaktuar dëmtime trupore dhe sulm duke rrahur ish-partneren e tij, Kate Greville. Seanca tridhjetë e tre minutëshe në “Manchester Crown Court” këtë të Premte, në të cilën Giggs u detyrua të merrte pjesë, ishte për të lejuar prokurorinë të paraqiste argumentet dhe detajet e sjelljes së tij ndaj ish partneres.

Giggs, 47 vjeç, dyshohet se qëllimisht ka rrahur ish-të dashurën e tij dhe ka sulmuar motrën e tij më të vogël Emma. Ai u arrestua për herë të parë në këtë rast dhe u la i lirë me kusht në nëntor.

Prokurori Tim Evans shtoi se Giggs kërcënoi se do t’u dërgonte një email miqve të tij dhe punëdhënësit të Kate Greville, mbi lidhjen dhe marrëdhëniet e tyre seksuale. Ai gjithashtu pohoi se ish futbollisti i hodhi gjërat e saj nga shtëpia e tij kur ajo e pyeti për gratë e tjera. Në një hotel në Londër, vazhdoi Evans, Giggs dyshohet se e goditi atë në shpinë dhe e hodhi të zhveshur nga dhoma e gjumit ndërsa i hidhte çantën jashtë kur ajo e akuzoi atë për flirt me gra të të tjera.

Tashmë gjyqi i radhës është caktuar për 24 Janar 2022 ku mund të vendoset edhe fati i Giggs i cili pikërisht për këto akuza humbi edhe vendin si trajner në krye të Uellsit duke mos marrë pjesë në EURO 2020.