Njihuni me shtretërit anti-sex për sportistët në Lojërat Olimpike të Tokyos
Vetëm pak ditë kanë mbetur nga starti i Lojërave Olimpike ndërsa Komiteti Organizativ i Olimpiadës së Tokyos ka ndërmarrë një hap tjetër në luftën e saj për të shmangur infeksionet e mundshme nga koronavirusi gjatë zhvillimit të eventit nga 23 korriku deri më 8 gusht, një ngjarje sportive që do të mbahet pa tifozë.
Një nga masat e Komitetit pritet të shoqërohet me polemika dhe nuk do të pritet mirë pasi ka të bëjë me shtretërit në të cilët do të flenë atletët gjatë qëndrimit të tyre në Fshatin Olimpik.
Megjithëse organizatorët ranë dakord qershorin e kaluar për të shpërndarë prezervativë tek atletët edhe pse rekomanduan që ata të mos kishin marrëdhënie seksuale gjatë Lojërave, ata tani kanë marrë një masë që e bën edhe më të pamundur që të ndodhin raporte të tilla.
Arsyeja është se organizatorët kanë vendosur rreth 18,000 shtretër kartoni në dhoma të ndryshme të Fshatit Olimpik, të bëra në mënyrë që atletët të mund të flenë ... por që thyhen ose prishen nëse mbështesin një peshë më të madhe se sa tregohet.
Shtretërit janë prej kartoni dhe nuk do të mbajnë peshë më të madhe se një person, dhe kjo nuk do të pritet mirë nga sportistët.
Një tjetër nga arsyet e dhëna për përdorimin e këtyre shtretërve, të cilat u prezantuan në janar 2020, është angazhimi i bërë nga Japonia për të garantuar lojëra të qëndrueshme me mjedisin, pasi shtretërit janë të riciklueshëm dhe materiali i tyre do të përdoret pas përfundimit të Olimpiadës.
Fshati olimpik ende nuk është mbushur me atletë dhe do të duhet të presim për të njohur reagimet e tyre në lidhje me këto shtretër që do të sjellin risi dhe polemikë në të njëjtën kohë.

