Mosmarrëveshje miqësore, Biden dhe Merkel diskutojnë rreth gazjellësit rus

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kryer vizitën e saj të lamtumirës në Uashington, të cilin e vizitoi më shumë se 20 herë gjatë 16 viteve në pushtet. Ajo pritet të largohet në shtator. Presidenti Bajden e vlerësoi Merkelin si besnike të fortë të aleancës transatlantike.

Gjermania dhe Amerika janë zotuar të forcojnë partneritetin transatlantik dhe promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit në botë.

Kancelarja Angela Merkel u prit të enjten në Shtëpinë e Bardhë, në vizitën e fundit formale dy muaj përpara largimit të plotë nga politika.

Presidenti Xho Bajden falënderoi kancelaren për 16 vitet e saj në pushtet, në të cilat tha se u përmirësuan raportet mes dy shteteve.

"Në emër të SHBA-së, falënderoj Anxhelën për karrierën, për lidershipin e fortë dhe parimor, që ka folur për atë që është e drejtë dhe kurrë nuk ka zhgënjyer në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Jeni ju kampionia më besnike e aleancës transatlantike, e partneritetit atlantik."

Në takimin e gjatë dypalësh, Merkel dhe Bajden diskutuan për një sërë çështjesh globale, nga klima, te reformimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Tregtisë, te trazirat në Kubë dhe Haiti, dhe agresioni rus dhe kinez.

Edhe pse e quajtën njëri-tjetrin miq të mirë, dy krerët e lartë të shtetit nuk dolën dot me një qëndrim të përbashkët për sa i përket gazsjellësit "Rrjedha Veriore 2", projekti 11-miliardë-dollarësh që ka shtuar tensionet amerikano-gjermane pasi Amerika thotë se rrit varësinë strategjike të Europës nga Rusia.

"Kemi vlerësime të ndryshme për projektin, por një gjë është e qartë: Ideja jonë është dhe mbetet që Ukraina të jetë një vend tranziti për gazin natyror, me të drejtë sovraniteti territorial. Ne do të veprojmë nëse Rusia nuk do e respektonte këtë të drejtë."

Merkel u takua edhe me zv.presidenten amerikane, Kamala Harris dhe me disa nga ish-bashkëpunëtorë të mëparshëm, si Sekretarët e Shtetit, Hilari Klinton dhe Kolin Pauell.

Gjatë vizitës së saj disa aktivistë u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë për t'i kërkuar kryeqeveritares gjermane të heqë dorë nga patentat për vaksinave kundër kovidit-19, në mënyrë që të rritet prodhimi dhe të shpejtohet vaksinimi i popullatave nëpër botë.

Kancelarja Merkel tha se Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord t'u sigurojnë vaksinash vendeve të varfra, sipas COVAX-it.