U ndotën nga ujërat e zeza, Los Anxheles hap disa nga plazhet e mbyllura

Shkarkimet e ujërave të zeza në oqeanin që lag qytetin amerikan të Los Anxhelesit janë bërë normë këtë vit, kur janë regjistruar 75 raste të tilla. Pas mbylljes treditore, autoritetet kaliforniane vlerësojnë se disa nga plazhet e saj mund të frekuentohen sërish.

Los Anxhelesi i ka rihapur disa nga plazhet tri ditë pasi ato u mbyllën prej ndotjes nga një sasi e madhe ujërash të zeza.

Mbi 60 mijë metër kub u zbrazën të dielën për tetë orë nga Impianti vendor i Përpunimit të Ujërave në Gjirin Santa Monika të Kalifornisë.

Ujërat e zeza u përzienë me ujërat e oqeanit që lagin plazhet El Segundo dhe Plaja del Rej, siç njoftoi kompania, për shkak të një bllokimi në përpunim prej masës së mbetjeve të forta.

Mostrat e dy ditëve të fundit treguan se cilësia e ujit në plazhe u rikthye brenda standardit.

"Ka ndodhur edhe më parë, por sigurisht është e pakëndshme që lëshojnë ujërat e papërpunuar në oqean, sepse ku i dihet se çfarë u shkakton peshqve. Është alarmante, në fakt."

Kompania "Hyperion" që menaxhon impiantin e përpunimit të ujërave për Los Anxhelesin tha se u detyrua të shkarkojë në oqean 6 për qind të ngarkesës ditore për të evituar një katastrofë më të madhe, siç do të kishte qenë mbyllja totale e impiantit nga bllokimi i fundjavës.

Në vitin 2015, e njëjta kompani shkarkoi mbi 110 mijë metër kub ujëra të zeza në Gjirin e Santa Monikës dhe pagoi mbi 2 milionë dollarë dëmshpërblim.