Pandemia e koronavirusit, OBSH jep alarmin: Lindja e Mesme para "katastrofës"

Pasi kaloi pragun e 11 milionë rasteve, rajoni i Mesdheut Lindor dhe Lindjes së Mesme po regjistron një shpërthim infeksionesh të reja prej Covidit-19. Në 19 nga 22 vendet e rajonit besohet se qarkullon varianti "Delta" i koronavirusit, ndërkohë që problem mbetet vaksinimi, sistemi shëndetësor dhe respektimi i masave anti-Covid.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vëren se pandemia në rajonin e Lindjes së Mesme po arrin pikën kritike.

Vendet si Irani, Libia, Iraku apo Tunizia raportuan javën e kaluar një fluks infeksionesh me Covidin-19, rreth 11 milionë raste gjithsej për rajonet e Mesdheut Lindor dhe të Lindjes së Mesme ku dominon varianti "Delta" i koronavirusit.

Festa fetare e Sakrificës që nis më 20 korrik pritet ta përkeqësojë situatën pasi tradicionalisht mbahet në grupe të mëdha njerëzish.

Tunizia aktualisht ka shifrën më të lartë të mortalitetit në Mesdheun Lindor, me 10 mijë të infektuar të rinj përditë, ndërkohë që janë rritur me 400 për qind rastet në Libi.

Spitalet tuniziane thonë se po ezaurohen kapacitetet e tyre si materiale, edhe ndihmëse.

"Kemi rreth një muaj që punojmë me kapacitet të plotë për sa i përket shtretërve të pajisur me oksigjen dhe atyre të reanimacionit. Jemi duke u riorganizuar dhe në rrethanat e stresit absolut."

Rajoni i Lindjes së Mesme ka shënuar mbi 223 mijë viktima prej fillimit të pandemisë.

OBSH-ja ka kërkuar të rriten vaksinimet pasi vendet si Tunizia dhe Iraku kanë tani norma kombëtare që variojnë nga 10 në 13 për qind.

Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka fajësuar shtetet e pasura për situatën dhe për marrjen e shumicës së dozave anti-Covid.