Kancelarja Merkel mbërrin në Uashington, do të pritet nga Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë
Kancelarja gjermane Angela Merkel, mbërriti dje në Uashington për një vizitë zyrtare, para se mandati i saj të përfundojë pas zgjedhjeve federale të Shtatorit.
Mediat amerikane bëjnë me dije se ajo do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, ku do pritet nga presidenti amerikan Joe Biden, me të cilin do të diskutojnë për stabilitetin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe SHBA-së.
Megjithëse epoka e Merkel po përfundon, udhëtimi i saj në SHBA po shihet si shënimi i një fillimi të ri në marrëdhëniet gjermano-amerikane pas tensioneve midis Berlinit dhe Uashingtonit nën administrimin e Donald Trump.
Merkel ka vizituar SHBA më shumë se 20 herë gjatë mandatit të saj, por kjo do të jetë pritja e saj e parë në Shtëpinë e Bardhë në këto 3 vite.
Kancelarja Merkel gjithashtu do të jetë udhëheqësja e parë evropiane që e viziton SHBA gjatë administratës së Biden.

