Tërheqja e trupave amerikanë nga Afganistani, Bush: Kam frikë se gratë dhe vajzat afgane kanë për të vuajtur
Ish-presidenti republikan, Xhorxh W. Bush, i cili në vitin 2001 urdhëroi dërgimin e trupave në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, mendon se tërheqja e trupave të huaja prej andej, ka për të qenë një gabim i pafalshëm.
Shumica e 2,500 ushtarëve amerikanë dhe 7,500 ushtarëve të NATO-s janë larguar nga toka afgane duke u lënë rrugë të lirë talibanëve që të kontrollojnë thuajse gjithë territorin.
Në një intervistë për medien gjermane, "DW", ish-presidenti amerikan e quajti Talibanin një lëvizje brutale e cila ka për ta nënshtruar shumë shpejt popullin afgan.
"Fatkeqësisht, kam frikë se gratë dhe vajzat afgane kanë për të vuajtur sa s'thuhet. Mendoj se të tërhequrit është gabim dhe se pasojat do të jenë jashtëzakonisht të këqija. Kur mendoj për gratë, për përkthyesit afganë që na kanë ndihmuar ne dhe trupat e NATO-s, ata kanë për t'u masakruar nga këta njerëz brutalë."
Forcat e huaja filluan tërheqjen nga Afganistani në fillim të majit dhe planifikojnë largimin e plotë brenda 11 shtatorit, me rastin e 20-vjetorit të sulmeve në Kullat Binjake dhe dy dekada pas nisjes së operacionit antiterrorist në vend.
Talibani, ndërkohë, njoftoi ditën se ka marrë nën kontroll një tjetër pikë kufitare dhe disa nga distriktet strategjike që e lidhin me Iranin, Pakistanin, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin.
Ndërmjetës të qeverisë afgane dhe një delegacion nga talibanët pritet të takohet të premten në Katar në përpjekjen e radhës për të arritur një marrëveshjeje paqeje mes palëve.