Ndahen 5 mijë euro për qytetarët e helmuar në Deçan
Komuna e Deçanit ka ndarë 5 mijë euro për qytetarët që dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm.
Njoftimin e ka bërë kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ku njoftoi se ky vendim u mor pas takimit emergjent me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa.
Sipas tij ndihma financiare do t’u shpërndahet për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të cilët po përballet me helmimin.
“Me propozimin tim, sot kemi mbajtur takim emergjent me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, të cilët unanimisht votuan për ndarjen e shumës në vlerë prej 5000€, të cilat do të dedikohen për nevojat e terapisë së qytetarëve të cilët po përballen me epideminë e shfaqur ditëve të fundit në komunën e Deçanit!”, shkruan Ramosaj.
Kujtojmë se të paktën 900 persona nga dita e shtunë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa fatkeqësisht dy të tjerë kanë humbur jetën ditën e sotme.
