"Drejtësi për vëllezërit Bytyqi", SHBA në Beograd: Serbia të hetojë krimin, prioritet për raportet tona

Amerika i ka kërkuar Serbisë të hetojë vrasjen ende të pazgjidhur të 22 viteve më parë ndaj vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Vëllezërit amerikanë me prejardhje nga Kosova u arrestuan në vitin 1999 në Serbi për kalim të paligjshëm të kufirit, por dy vite më vonë, pas dënimit dhe lirimit, trupat e tyre u gjetën brenda një varri masiv në lindje të Serbisë.

“Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës dhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si edhe mbajtja përgjegjës e atyre që i kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet për raportet tona bilaterale me Serbinë,” deklaroi ambasada amerikane në Beograd.

Reagimi i ambasadës erdhi me rastin e 22-vjetorit të zhdukjes së vëllezërve Bytyqi dhe një javë pas dekorimit me medalje të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri.

Në vitin 1999, ai udhëhiqte kampin në Petrovo Sello ku u gjetën të vrarë tre vëllezërit dhe sipas SHBA-së, ish-komandanti së bashku me ish-zv.ministrin e Brendshëm ishin në dijeni të ngjarjes ose përgjegjës të drejtpërdrejtë për të.

"Qeveria e SHBA-së u bën thirrje sërish autoriteteve serbe, të cilat kanë premtuar ndihmën e tyre, për një hetim të plotë. Ky rast, dhe shumë të tjerë, tregojnë nevojën urgjente për Serbinë që të sqarojë krimet ende të pazgjidhura të luftës dhe të fokusohet te forcimi i shtetit të së drejtës," shtoi ambasa amerikane.

Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi ka thënë se po mbledh prova të reja për të identifikuar autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.