Mal i zi, kërkohet kryeministër i ri, "Fronti Demokratik" propozon ish-diplomatin Miodrag Lekiq

Fronti Demokratik që ka shumicën e deputetëve në parlamentin malazez ka kërkuar riformatimin e funksioneve kryesore politike duke mos u pajtuar më me kryeministrin Krivokapiq.

Vend ndodhet në krizë politike pas disa polemikave dhe shkarkimeve për qëndrimet ndaj gjenocidit serb në Srebrenicë.

Në vijim të krizës politike në Malin e Zi, grupi kryesor që përbën shumicën qeverisëse në vend ka propozuar zgjedhjen e një kabineti, kryeministri dhe një kryetari të ri parlamenti.

Liderët e Frontit Demokratik thanë të martën se kërkojnë zëvenëdsimin e kryeministrit Zdravko Krivokapiq me ish-diplomatin Miodrag Lekiq.

Pas shkarkimit të ministrit të Drejtësisë dhe miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë me ndihmën e opozitës, ata theksuan se nuk i besojnë më kreut të qeverisë dhe as nuk do të paraqiten më në parlament për të formuar kuorumin.

"Situata aktuale nuk është e qëndrueshme, pasi shumica parlamentare nuk po funksionon dhe ka vetëm 14 deputetë. Sot përmendëm emrin e Miodrag Lekiqit për kryeministër duke ditur cilësitë dhe përvojën e tij," deklaroi Andrija Mandiq, një nga krerët e Frontit.

Kryeministri Krivokapiq ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të dorëhiqet por vetëm mund ta shkarkojnë me një mocion mosbesimi.

Shumica që ai kryeson siguroi 41 nga 81 votat e deputetëve të Kuvendit në muajin dhjetor.