Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë
Parlamenti i Kosovës ka dënuar gjenocidin dhe krimet e tjera kundër komunitetit boshnjak nga forcat serbo-boshnjake në Srebrenicë.
Rezoluta për masakrën e korrikut 1995 në qytezën e Bosnjë-Hercegovinës u miratua të mërkurën nga 84 deputetë të Kuvendit.
Ligjvënësit e Listës Serbe që përfaqësojnë minoritetin serb në vend, e bojkotuan seancën.
Rezoluta e propozuar nga koalicioni boshnjak në Kuvend e bën të dënueshëm mohimin me qëllim dhe publikisht të vrasjes së mbi 8 mijë burrave e djemve myslimanë në vitet '90 dhe fton institucionet shtetërore të njohin 11 korrikun si Ditë Përkujtimore për viktimat.
"Gjenocidi në Srebenicë njihet si një nga krimet më të ënda prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Këto krime vazhduan edhe në Kosovë, disa vite më vonë."
Deputetët e Kosovës thanë se ka ngjashmëri mes masakrës në Srebrenicë dhe masakrave që ata përjetuan vetë nga forcat serbe.
"Ky është një mësim edhe për neve. Ky është një mësim për mbarë Evropën, se cila është fytyra e vërtetë e këtij regjimi, që sot po udhëheq Republikën e Serbisë. Këta duhet të jenë ata që e shtrinë dorën e pajtimit, për të gjitha krimet që kanë kryer në luftërat e fundit të viteve '90."

Një rezolutë kundër gjenocidit në Srebrenicë u kalua në qershor edhe nga parlamenti i Malit të Zi, në 2010-ën është votuar nga Maqedonia ndërsa Shqipëria nuk e ka miratuar ende.
Serbia, e cila refuzon të përdorë termin gjenocid për ngjarjet e 1995-ës, reagoi të mërkurën nëpërmjet presidentit Aleksandër Vuçiq, duke thënë se rezolutat ishin të paralajmëruara dhe befasi ishte vendosmëria e Podgoricës për ta votuar nismën përpara Prishtinës.
Të dielën shënohet 26-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë dhe është parashikuar varrosja e 19 viktimave të kohës.
