"Zgjerimi i BE-së me Ballkanin, logjik": Samiti i tetorit me mesazh konkret për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Sllovenia do të ndikojë në Këshillin e Bashkimit Europian për të përshpejtuar rrugën e integrimit të rajonit në BE.

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, prezantoi të martën programin gjashtëmujor të vendit.

Në sallën e Parlamentit Europian, ai tha se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor brenda vetes është veprim logjik dhe strategjik.

"...bashkë me presidentin e Këshillit Europian, në tetor, në Slloveni do të organizojmë një samit me BE-në dhe Ballkanin Perëndimor. Synimi ynë është të rikonfirmojmë, të ringjallim dhe të rienergjizojmë perspektivën europiane," tha Jansha

Procesi për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka ngecur prej vitesh nga vendimet e njëanshme të shteteve anëtare.

Sipas kryeministrit slloven, perspektiva europiane duhet të jetë konkrete që të vijohet me reformat.

"Konkretësia duhet të jetë burim i energjisë politike dhe frymëzimi për kryerjen e reformave të nevojshme të nivelit politik. Kjo konkretësi duhet të jetë burim energjie dhe fokusi në ndërgjegjen politike edhe të qytetarëve që t'i mbështetin reformat e nevojshme. Gjatë samitit të Selanikut në vitin 2003 i bëmë një premtim rajonit. Nëse do ta përmbushnim, do të tregonim se jemi aktor strategjik. Nëse nuk do ia dalim dhe nuk do bëjmë hapa përpara me rajonin, atëherë këta hapa do i hedhë dikush tjetër, që ka interesa dhe vlera të ndryshme," tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Leyen, tha se samiti i tetorit do përforcojë mesazhin kundrejt Ballkanit Perëndimor.

"...Mesazhi është që janë partnerë strategjikë thelbësorë për Bashkimin Europian dhe shpresoj që me presidencën sllovene do mund të hapim procedurat për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë dhe është çështje besueshmërie sepse për Europën premtimi i dhënë, duhet mbajtur," tha fon der Leyen.

Sllovenia mori më 1 korrik udhëheqjen e Këshillit të BE-së nën sloganin për një Europë "të bashkuar dhe të fortë".

Fokusi në gjashtë muajt e ardhshëm do të jetë rimëkëmbja pas pandemisë, vendet e punës, axhenda e gjelbër, tranzicioni dixhital, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e kufijve të jashtëm të unionit.