Osmani për prestigjiozen gjermane: Askush s’duhet ta quajë Thaçin “zagar të amerikanëve”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se askush nuk duhet ta quajë ish-presidentin Hashim Thaçi “zagar të amerikanëve”, pavarësisht dallimeve politike që kanë pasur.
Këtë intervistë e ka dhënë për revistën gjermane “Der Spiegel” dhe ka theksuar se Hashim Thaçi ka qenë president dhe kryeministër në kohëra historike dhe ai s’duhet nga askush të njolloset si “zagar i amerikanëve”.
“Der Spiegel” ka pyetur Osmanin nëse ka ardhur koha që Kosova të emancipohet nga SHBA-ja, në një kohë kur “presidenti Thaçi, shpeshherë i cilësuar si zagar në prehër të amerikanëve, gjendet në burg në Hagë.”
“Përkundër krejt diferencave politike që mund t’i kemi pasur me Thaçin, askush nuk do të duhej ta quante atë ‘zagar të amerikanëve’. Thaçi ka qenë kryeministër dhe kryetar në kohëra historike. Sa i përket marrëdhënieve me SHBA-në: ato nuk varen nga personeli udhëheqës politik. Ato janë një lidhje e veçantë, që na mbajnë bashkë. Ne nuk e harrojmë rolin e amerikanëve në Kosovë në vitet 90-të," është përgjigjur Osmani.
Sipas Osmanit, për aq kohë sa Serbia destabilizon rajonin, prania e SHBA-së dhe ndërkombëtare është e domosdoshme në rajon.
