Mijëra italianë janë në radhë për t'i bërë homazhe ikonës së televizionit italian, Raffaella Carra

Mijëra qytetarë italianë kanë nderuar këtë të enjte ikonën e televizionit italian Raffaela Carra. Ceremonia u mbajt në një nga sallat kryesore të të bashkisë së Romës. Përpara kësaj, trupi i Raffaellës është nderuar edhe në disa institucionet të tjera ku ajo ka kontribuar. Cermonia e varrimit për 78 vjeçaren do të zhvillohet të premten në orën 12.

Në një nga sallat kryesore të Bashkisë së Romës, mijëra italianë janë në radhë për t'i bërë homazhe ikonës së televizorit italian, Raffaella Carra e cila ndërroj jetë në moshën 78-vjeçare, pas një sëmundje të pashërueshme, ditën e martë 6 korrik 2021.

Trupi i artistes italiane ka mbërritur në ndërtesën e Campidoglios, një ditë më parë, i shoqëruar nga një korte i gjatë njerëzish e automjetesh.

Nga banesa e saj, trupi i Raffaella Carra është nderuar në disa pikëndalime, si në selinë zyrtare të Radio Televizionit Publik Italian, në studiot e RAI në Romë e në Teatro della Vittorio ku diva italiane nisi suksesin e karrierës së saj televizive.

Në sallën Protomoteca të Bashkisë së Romës, trupi i Raffaella Carra u prit nga kryebashkiakja Virginia Raggi së bashku me dy kurora me lule të verdha, të preferuarat e saj.

Në sallën e homazheve, mes të cilës shtrihet arkivoli i artistes rrethuar nga lule shumëngjyrëshe. kumbon lehtë melodia e këngëve të saj, ndërsa në ekranet e pozicionuar në kënde, shfaqen fotografi e thënies të Raffas, siç e thërrisnin të gjithë, si dhe pjesë nga programet televizive e këngët e saj më të suksesshme.

Ceremonia e Varrimit të Raffaella Carra do të zhvillohet ditën e premte ora 12.00 në Kishën Santa Maria in Ara Coeli, e pozicionuar vetëm pak metra larg vendit të homazheve.

Partneri i artistes italiane, Sergio Japino, njëherësh bashkëpunëtorë i saj për shumë vitesh i ka kërkuar fansave të Carras, që kudo që të ndodhen ditën e premte në ora 12.00 të ndalen në një kishë në nderim të kujtimit të saj e për t'i dhënë shpirtërisht përshëndetjen e fundit.

 Mesazhe ngushëllime e mirënjohje për artisten italianë kanë ardhur nga e gjithë bota televizive e mediatike italiane.

 Gazetari i njohur Bruno Vespa gjatë homazheve në Tetarin Della Vitoria u shpreh se "Raffaella është një pjesë e historisë së Italisë. Programet e saj kanë qenë inteligjente e asnjëherë vulgare."

Prezantuesi televiziv Giancarlo Magalli ka komentuar se "suksesi nuk dhurohet por fitohet dita ditës me punë, kokë ulur e thjeshtësi. E ky është mësimi që na ka lënë trashëgim Raffaella."

Ndërsa për Milly Carluccin, prezantuesen e njohur të RAI, "Raffaella solli një evolucion të botës femërore televizive. E nisi karrierën si soubrette, ndërsa arriti të jetë Drejtore Artsitike."

Raffaella Carra mbetet personazhi televiziv më i dashur për publikun italian. Në çdo event festiv publik o familjarë këngët e saj janë reporteri më i dëgjueshëm i të gjitha kohërave. 

Ajo ishte gjithashtu simboli i të drejtave e lirive njerëzore, në krah të përpjekjeve të botës LGBT për të reformuar skepticizmin e shoqërisë globale.