Shteti amerikan shpall gjendjen e emergjencës shëndetësore nga dhuna me armë, vrasjet u rritën me 25% në vitin 2020
Shteti i Nju-Jorkut ka shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të shtimit të ngjarjeve kriminale dhe përdorimit të armëve në vend.
Gjatë Festës së Pavarësisë më 4 korrik, shteti amerikan regjistroi 51 incidente me armë ndërsa po atë fundjavë në rang vendi u raportuan gati 200 viktima nga armët e zjarrit.
Guvernatori i Nju-Jorkut, Andrew Cuomo, i krahasoi aktet në rritje të dhunës me krizën shëndetësore të Covid-19.
"Jemi në një emergjencë dhe njerëzit duhet ta kuptojnë se situata është aq keq sa po të vëresh shifrat e fundit, më shumë po vdesin prej armëve dhe krimeve, sesa prej covid," tha Cuomo.
Në muajin mars, FBI-ja zbuloi se nga të dhënat paraprake, krimet me armë zjarri në Amerikë u rritën me 25 për qind në vitin 2020.
Trendi ka vijuar edhe përgjatë këtij viti dhe shumica raportohet se janë viktima të komuniteteve me ngjyrë.
"Kur sheh viktimat nga armët në rang vendi, 59 për qind janë jo të bardhë; në shtetin e Nju-Jorkut, 68 për qind; në Nju-Jork-Siti, 77 për qind e viktimave nuk janë të bardhë," tha Cuomo.
Në muajin qershor, presidenti Joe Biden propozoi një strategji për të ndalur krimet me armë zjarri, duke përfshirë goditjen e shitësve të armëve ilegale dhe trafikimin e tyre.
Me udhrin e fundit, shteti i Nju-Jorkut pritet të ngre një zyrë për parandalimin e krimeve të tilla, do të investojë 57 milionë dollarë në programe punësimi për të rinjtë e rrezikuar nga krimi dhe do të luftojë trafikimin e armëve nga jashtë.
