Temperaturat rekord, ekspertët e klimës: Përshkallëzim i frikshëm në ekstreme
Ekspertët e klimës kanë ngritur shqetësimin për temperaturat e larta në vlera rekord, me qershorin e katërt më të ngrohtë, të regjistruar në të gjithë botën. Amerika e Veriut përjetoi qershorin e saj më të ngrohtë të regjistruar, sipas programit të BE për vëzhgimin e Tokës.
Kjo nuk është surprizë, duke pasur parasysh temperaturat e larta të paprecedenta të regjistruara kohët e fundit gjatë valës së nxehtësisë që goditi Kanadanë dhe pjesë të SHBA. Por banorët e Mbretërisë së Bashkuar mund të tronditen kur mësojnë se pavarësisht shiut dhe reve, ky ishte qershori i dytë më i ngrohtë i regjistruar për Evropën.
Ekspertët e klimës thonë se gjetjet tregojnë për një përshkallëzim të frikshëm në ekstreme të temperaturës. Prof Peter Stott i UK Met Office thotë se ajo që meteorologët e shohin si tronditëse nuk është se bota po përjeton më shumë valë të nxehtësisë, por që rekordet e temperaturës po thyhen gjithnjë e më shumë.
Në Kanada dhe SHBA veri-perëndimore, disa qytete regjistruan temperatura plot 5 gradë Celsius mbi rekordet e mëparshme, në vlerën e 49.6 C.
"Ndryshimet në klimën mesatare po çojnë në përshkallëzim të shpejtë jo vetëm të temperaturave ekstreme, por edhe të temperaturave jashtëzakonisht ekstreme", thotë profesor Stott.
Ai beson se rreziqet nga numri në rritje i valëve të nxehtësisë që bota tani përjeton nuk merret mjaftueshëm seriozisht.
