Meta krah Kryemadhit në ceremoninë e vendosjes së bustit të Skënderbeut në Budapest
Presidenti Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi kanë marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së përmendores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti në Budapest.
Me anë të një postimi në Facebook, Presidenti shkruan se rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi.
"Me shumë kënaqësi dhe emocion të veçantë, mora pjesë sot, me ftesë të Presidentit Ader, në ceremoninë e vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Budapest.
Rrënjët e miqësisë midis dy popujve tanë gjenden në lidhjet legjendare dhe aleancën strategjike të Heroit tonë Kombëtar me Prijësin ushtarak dhe drejtuesin e spikatur të Hungarisë dhe të mbarë Europës Qendrore, Janosh Huniadi, të dy mburoja të vlerave dhe të traditave të qytetërimit, por edhe të identitetit tonë europian.
Ashtu si në kohën e aleancës së Kastriotit dhe të Huniadit, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë dhe ne i jemi thellësisht mirënjohës.
Jam i bindur se fryma e miqësisë dhe e bashkëpunimit të shkëlqyer tradicional historik midis dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohet pa u ndalur në të ardhmen," shkruan Presidenti në Facebook.
Për zotin Meta, Hungaria mbetet një mbështetëse e palëkundur e integrimit europian të Shqipërisë.

