Memli Krasniqi zgjidhet kryetari i ri PDK-së: Reflektimi është i domosdoshëm
Memli Krasniqi është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai u zgjodh kryetar ditën e sotme në konventën e dhjetë të kësaj partie, një votim ku morën pjesë 476 delegatë, ndërkaq 7 nga ta ishin kundër dhe 1 abstenoi.
Krasniqi ishte kandidati i vetëm në garë për kryetar të PDK-së.
Ndërkohë, Krasniqi u shpreh se është falënderues për mundësinë dhe i ndërgjegjshëm për barrën e përgjegjësisë që do ta merr si i pari i partisë.
Krasniqi: Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate. Se si duhet të operojë sot PDK, mbi këtë situatë politike, duhet të flasim hapur për disa gjëra, e të mendojmë nga e ardhmja. Ne sot jemi opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona, që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë.
Nga ana tjetër, PDK po vuan edhe mungesën e dy ish-udhëheqësve të saj dhe të UÇK-së, Kadri Veselit e Hashim Thaçit, të cilët ndodhen në Hagë.
PDK, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, doli parti e dytë në Kosovë, por me vetëm 17 % të votave.
