Shuhen zjarret masive në Qipro, u dogjën 55 km katrorë pyje, 4 viktima
Qiproja njoftoi të hënën vënien nën kontroll të zjarreve të fundjavës që dogjën brenda pak orëve mbi 55 kilometra katrorë pyje.
Zjarret u morën jetën katër punëtorëve me shtetësi egjiptiane të moshave 24 deri 35 vjeç.
Të shtunën ato u përhapën shpejt në mesditë në zonën e Arakapasit, të ndihmuara nga erërat e forta dhe dendësia e pyjeve.
Ekspertët thanë se për 5 orë flakët dogjën gjithçka përpara tyre, me shtëpi dhe biznese, ndërsa për operacionet e shuarjes u përfshinë mbi 600 persona dhe helikopterë e avionë që bombarduan me ujë zonën malore të Trodosit.
Policia dyshon se një 67-vjeçar mund ta ketë përhapur aksidentalisht vatrën e zjarrit teksa po asgjësonte barërat e thatë të tokës së tij.
Edhe përtej Atlantikut, në Kanada, zjarret që shkrumbuan fshatin Litën në perëndim të vendit mësohet se u shkaktuan nga njeriu.
Provinca e Kolumbisë Britanike regjistroi javën e kaluar temperaturën rekord prej 49,6 gradë Celsius, pikërisht në fshatin e vogël i cili është shkatërruar prej flakëve në 90 për qind të tij.
Zjarret atje kanë vrarë dy persona ndërsa temperaturat ekstreme dyshohet se kanë ndikuar në vdekjen e mbi 720 kanadezëve në një javë.
