Baçi: 30 vite hipokrizi me të shkuarën, shoqëria jonë nuk ka kaluar nga traseja e pendimit dhe faljes

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, me gazetarin Sebastian Zonja, publicisti, Agim Baçi, ka komentuar veprën “Ferma e Kafshëve”, me regji të Driada Dervishit, që do të luhet pranë teatrit veror të liqenit.

Vepra e Xhorxh Oruell, Baçi teksa ka dhënë detaje për “Fermën e Kafshëve” thotë se derri në këtë vepër simbolizon njeriun që dorëzohet.

Më tej ai shton se shoqëria jonë nuk  ka kaluar nga traseja e pendimit dhe faljes, që si pas tij janë dy shtyllat kryesore që shoqëria të ringrihet.

“Kur shikon se ç’fuqi ka pasur, në lidhje me atë se çfarë do të ndodh në një shoqëri jo vetëm diktatoriale, por edhe post diktatoriale, ku qytetarët dorëzojnë çdo ditë nga liria e tyre për t’u përshtatur apo për të mbijetuar. Kjo lloj vepre, fatkeqësisht vazhdon të marrë fuqi, vazhdon të marrë shumë aktualitet. Te ferma e kafshëve, je përballë një presioni të madh të pranosh se 2x2 bëjnë 5. Aty është parashikuar se e keqja, e liga e pamoralshmja do të fitojë më shumë terren.

Qëkur janë zhdukur rregullat morale, qëkur nuk është më besimi prioritetet për konceptin moral të njeriut, ne kemi shkuar te ajo që është përshtatja. Derri në vepër simbolizon njeriun që dorëzohet, dorëzon lavditë e tij, dorëzon liritë e tij, dhe shkon drejt kulturës bindjes, vetëm për mbijetesë. Ne si shoqëri nuk kemi kaluar dot në dy shinat më të rëndësishme në shoqëri për të kuptuar të shkuarën e tyre. Nuk kemi kaluar nga pendimi dhe falje, janë dy trase që shoqëria mund të ringrihet.

Duhet të ketë të penduar dhe nga ato që falin. Në 30 vjet ne kemi bërë hipokrizi me të shkuarën tonë dhe është e trishto që pas 30 vitesh prapë t’i rikthehesh dhe të kuptosh se sa pasoja të mëdha ka lënë diktatura, por gjërat që janë prishur për 50 vite, nuk mund të rregullohen kollaj për 30 vite. Nuk është prishur një ndërtese, është prishur mënyra e të menduarit, është prishur komunikimi, është prishur dashuria, është prishur koncepti për tjetrin. Kemi arritur të ruajmë, pavarësisht ndërhyrjes që bëri sistemi për familjen që donte ta zotëronte, sërish dashuria nga natyra është disidente sepse nuk pyet ligjin.