Rama, Vuçiç dhe Zaev takohen online për Minishengenin, takohen në Shkup me 29 korrik
Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev kanë zhvilluar një takim virtual ku kanë disktuar edhe njëherë për zbatimin sa më shpejtë të planit për të ashtëquajturin Schengeni i Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi, ajo që vihet re në këtë mbledhje online të dy Kryeministrave dhe Presidentit serb është fakti se Kosova dhe dy shtetet e tjera të BP6-ës, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, mungojnë.
Ndërsa nuk ka patur asnjë sqarim për këtë çështje, në komunikatën e lëshuar për mediat, palët pjesëmarrëse bënë me dije e liderët në fjalë kërkojnë ecjen përpara me idenë e dakordësuar prej tyre. Ata kërkojnë gjithashtu një perspektivë më të qartë e të shpejtë europiane si e vetmja e ardhme. Mbledhja virtuale është parë si një koordinim përpara samitit të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Berlin më datë 5 Korrik, me praninë e liderëve europianë.
Ende nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë më tej Kosova. Prishtina zyrtare nën qeverinë Hoti fillimisht e refuzoi, por më pas e pranoi nismën rajonale në bazë të marrëveshjes së Uashingtonit. Gjithësesi, mbetet për t’u parë qëndrimi i Kryeministrit Albin Kurti, i cili ka bërë disa propozime për këtë çështje.
Shqipëria e Serbia kanë hedhur një hap drejt lirisë së lëvizjes së njerëzve, ndërsa në bazë të një marrëveshjeje, qyteterët e dy vendeve tona mund të lëvizin lirisht duke patur me vete vetëm kartën e identitetit.

