Kushtetuesja pezullon gjykimin dhe çon në Komisionin e Venecias zgjedhjet e 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese pezullon gjykimin dhe vendos ti drejtohet Komisionit të Venecias për të marrë mendim lidhur me padinë e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershori në 2019.

Me vendimin e marrë mbrëmjen e së mërkurës (23 qershor), Gjykata Kushtetuese, u ka lënë kohë palëve të interesuara t’i drejtojnë nga një pyetje Komisionit të Venecias, deri më 25 qershor.

E vetëm pas marrjes së përgjigjes nga ky institucion do të rishqyrtojë çështjen.

Voltana Ademi duke folur pas seancës maratonë tha se është krenare që Kushtetusja u vu në lëvizje për këtë çështje nga Shoqata e Bashkive e drejtuar prej saj dhe shtoi se shpreson që të kemi sa më shpejt një vendim përfundimtar për 30 qershorin.

Voltana Ademi: Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga "zgjedhjet" e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.

Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.

Kam bindje që Gjykata Kushtetuese  do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën. Shpresojmë sa më shpejt të kemi një vendim përfundimtar.

Pyetja për Venecian

Nga ana tjetër avokati, Jordan Daci, nuk zbuloi pyetjen që do ti bëjnë Komisionit të Venecias, por u shpreh besimplotë se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të tyre.

Jordan Daci: Pyetjen nuk mund ta themi por do të depozitojmë një pyetje sepse ne jemi pala që kemi vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Lajmi i mirë për të gjithë shqiptarët është që Gjykata Kushtetuese funksionon. Së dyti, çdo tentativë e paligjshme, e pamoralshme politike që bie ndesh me vetë qëllimet e vendit tonë për të hyrë në BE dështoi me sukses për të penguar gjykimin e kësaj çështje.

Gjykimi u zhvillua përsa i përket debatit, pjesës kryesore, është në të drejtën e Gjykatës ti drejtohet Venecias. Duke pasur parasysh qartësinë dhe shkallën e rëndësisë së pretendimit që ne ngrejmë nuk do të kenë asnjë devijim ose do të ketë krejtësisht vlerësimë në favor të pranimit të kërkesës sonë. Edhe debati tregoi sesa qesharak bëhen përfaqësuesit e institucioneve tona që zgjedhin të marrin qëndrime se "unë nuk shprehem për mendimin e institucionit të mëparshëm" apo " nuk e di se kur është regjistruar partia".

Në këtë rast ata bëhen qesharakë dhe tallen me të drejtat e çdo qytetari të Shqipërisë. Merita e Shoqatës është që arriti të ngrejë në nivel kushtetues këtë çështje dhe tani i takon Gjykatës Kushtetuese të thotë fjalën e fundit dhe unë kam besim që ajo do të na e pranojë kërkesën.

Ademi apo Ndreu, kush drejton Shoqatën e Bashkive?

Ademi nuk nguroi ti përgjigjet edhe përfaqësueses së qeverisë, e cila deklaroi gjatë seancës në Kushtetuese se ajo nuk është më kryetare e Shoqatës së Bashkive.

Voltana Ademi: Unë jam kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, jam këtu duke përfaqësuar me të gjitha tagret Shoqatën e Bashkisë dhe procesi e dëshmoi këtë.

Presidenca: A kishte garë në 2019? Kuvendi e Qeveria: Ademi nuk është më kryetare

Gjyqtarët në një seancë maratonë kanë dëgjuar si fillim argumentat e Shoqatës së Bashkive, e cila drejtohet nga demokratja Voltana Ademi që kërkon shpalljen antikushtetues të procesit elektoral të 30 qershorit.

Në themel të padisë së kryetares së bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, është dekreti i presidenti Meta, i cili i shtyu zgjedhjet nga 30 qershori në 13 tetor.

Sipas juristit, Jordan Danci, dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve është në fuqi pasi asnjë organ nuk e ka shfuqizuar, dhe për këtë arsye procesi i 30 qershorit është në shkelje të Kushtetutës.

Një tjetër argument i tij është edhe fakti që në 30 bashki nuk kishte garë, pasi në zgjedhje mori pjesë vetëm 1 kandidat.

Por edhe aty ku kishte kandidatë, procesi sipas juristit Daci është i paligjshëm për faktin se Bindja Demokratike është regjistruar në shkelje të afateve kushtetuese.

Thuajse me të njëjtat argumenta ishte edhe përfaqësuesi ligjor i Presidencës, i cili ngriti pyetjet nëse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, garantuan garë? I dhanë mundësinë qytetarëve të votojnë për alternativë? Dhe a u garantua fshehtësia e votës apo liria e votuesit?

Juristi Dervishi tha se edhe Komisioni i Venecias ja ka njohur të drejtën Presidentit për dekret e kjo gjatë debatit në Komisionin Hetimor kur u kërkua shkarkimi i tij pikërisht për këtë çështje.

Përfaqësuesi Presidentit, tha se Ilir Meta shmangu një konflikt civil, duke u ofruar palëve mundësine e uljes në diskutime.

Zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 ishin zgjedhjet e para në 3 dekada që u bojkotuan nga PD dhe LSI, duke bërë që PS të fitonte të gjitha bashkitë në vend.

Përfaqësuesja e qeverisë para trupës kërkoi pezullimin e diskutimit për shkak se Voltana Ademi nuk është më kryetare e shoqatës.

Për shkak se zëvendësimi i saj me Pjerin Ndreun është në gjykatë, Elira Kokona kërkoi që çështja të shtyhet, çka u refuzua nga gjykata.

Madje më tej Kokona kërkoi rrëzimin e padisë për shkak se kushtetuesja nuk ka juridiksion të shqyrtojë kërkesën e shoqatës.

"Nuk mundet një shoqatë që të kryesohet e përfaqësohet nga ish-kryetari. Jemi në kushtet kur shoqata përfaqësohet nga një avokat i autorizuar nga ish-kryetari.Jemi në kushtet e mungesës së përfaqësimit në këtë seancë. Në vitin 2019 është kryer një proces zgjedhor që nuk ka pasur ndalesa ndaj subjekteve zgjedhore dhe votuesve.Kryetari i shoqatës nuk mund të jetë një ish-kryetar. Sot kërkuesi nuk ka tagër të jetë në seancë".

Me të njëjtin argument u paraqit dhe përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbri, e cila shtoi se Presidenti ka në detyrë të caktojë datën e zgjedhjeve dhe jo anulimin.

Të përfshirë në çështje ishin dhe përfaqësuesit e Partisë Bindja, të cilët sqaruan pozicionin e tyre sa i përket regjistrimit në zgjedhjet vendore të vitit 2019.