Kushtetuesja shqyrton 30 qershorin, Varaku: Vendim i vonuar, e vetmja vlerë legjitimi i pretendimeve të opozitës

Gjykata Kushtetuese mori zyrtarisht në dorë fatin e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019.

Redi Varaku, analist, në një intervistë për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja thotë se politikisht ky është një vendim i vonuar dhe nuk mund ti sjellë asnjë të mirë demokracisë lokale.

E vetmja vlerë sipas tij, është legjitimi që i bën pretendimeve të opozitës.

"Politikisht e shoh si një vendim të vonuar. Në 28 qershor të 2019, Palmer pati paralajmëruar që do të kemi një vendim  të Kushtetueses brenda korrikut apo gushtit të po atij viti. Këtë vendim pas dy vitesh e shoh shumë të vonuar dhe nuk parashikoj se do të prodhojë ndonjë të mirë për demokracinë lokale apo administrimin e qyteteve apo bashkive. Ka vetëm një vlerë, i jep legjitimitet pretendimeve të opozitës".

Sipas tij, katër vite stanjacion në sistemin e drejtësisë kanë prodhuar një gjendje depresive në shoqërinë shqiptare.

"Në një vend ku nuk ka drejtësi nuk ja vlen të jetohet, jeta kthehet në ferr" thotë ai.

Për Varakun, opozita ishte në të drejtën e saj për bojkotimin e zgjedhjeve lokale për shkak të mos plotësimit të kushteve bazë për garën.

Ajo çfarë atë vazhdon ta habisë edhe sot  pas dy vitesh është qëndrimi perëndimor për këtë situatë.

"Nuk kishte ndodhur që ti falte një mazhorance 61 bashki në një proces fals duke i prodhuar një kosto të jashtëzakonshme opozitës. Kjo ishte e pakuptueshme. Opozita kërkonte barazi, drejtësi, në një proces të caktuar."