Varianti Delta i koronavirusit parashikohet të dominojë Evropën deri në fund të Gushtit
"Ka shumë të ngjarë që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht midis të rinjve që nuk janë prioritet për tu vaksinuar," paralajmëroi Andrea Amon, drejtoresha e Shërbimit Evropian të Sëmundjeve.
Megjithëse varianti Alpha, zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht mbetet mbizotërues në rajon, modelimi i të dhënave të agjencisë parashikon që varianti Delta , zbuluar fillimisht në Indi, do të përbëjë 70% të infeksioneve të reja në BE deri në fillim të Gushtit dhe 90% deri në fund të gushtit, theksoi qendra.
Për të mbrojtur nga shfaqja e variantit, i cili është 40 deri 60% më ngjitës se Alpha sipas shërbimit shëndetësor, ECDC po bën thirrje për përshpejtimin e vaksinimeve. Në laborator ose në jetën reale, studimet konvergojnë në një pikë: marrja e një doze të vetme të vaksinës siguron mbrojtje të kufizuar kundër variantit Delta. Deri më tani, pothuajse 30% e njerëzve mbi moshën 80 vjeç dhe pothuajse 40% e njerëzve mbi moshën 60 vjeç në Bashkimin Evropian nuk janë vaksinuar plotësisht, sipas ECDC, e cila përfshin 27 vendet e BE.
"Në këtë fazë, bëhet thelbësore që doza e dytë e vaksinës të jepet në intervalin minimal të lejuar pas dozës së parë, në mënyrë që të përshpejtohet shkalla e mbrojtjes së njerëzve në nevojë", tha Andrea Amon.