Presidenti bjellorus kritikon Gjermaninë: Perëndimi po i rikthehet konflikteve të së shkuarës

Bjellorusia i ka kujtuar Perëndimit se po gabon në përpjekjen për ta nënshtruar me sanksione dhe se po i rikthehet konflikteve të shkuara.

Bashkimi Europian, Amerika dhe Kanadaja njoftuan zgjerimin e listë së zezë me zyrtarë dhe agjenci bjelloruse të cilat kanë pasur rol në shtypjen me dhunë të protestave antiqeveritare kundër presidentit Aleksandër Lukashenko.

Në lista u futën edhe ministrat bjellorusë të Mbrojtjes dhe Transportit për shkak të incidentit me uljen e detyruar të një avioni që pasagjer kishte edhe një gazetar kritik me kreun e shtetit.

Bjellorusia përkujtoi të martën përvjetorin e fillimit të pushtimit prej Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Lukashenko e konsideroi diçka simbolike që edhe Gjermania moderne vijon të njëjtën linjë armiqësore, pas 80 vitesh.

"Nuk e prisnim pjesëmarrjen e Gjermanisë në këtë konspiracionin kolektiv me sanksione; Nuk e presnim prej atyre, paraardhësit e të cilëve shkatërruan jo vetëm një në tre bjellorusë, por edhe miliona fëmijë të palindur gjatë Luftës."

Presidenti që udhëheq ish-republikën sovjetike prej gati tri dekadash tha se sanksionet e fundit janë pjesë e një lufte hibride.

Sipas tij, fuqitë perëndimore nuk kanë nxjerrë mësimin nga e kaluara dhe sërish, pas 80 vitesh, po provokojnë konflikte në rajon.

"Sanksione, provokime. Pyetja ime është: a po veproni qëllimisht kështu? Mos doni të testoni caqet e fuqisë dhe brezin e ri të bjellorusëve patriotë? Në rregull, le t'i testojmë."

Presidenti Lukashenko gëzon mbështetjen e Rusisë ndërsa nga Perëndimi kundërshtohet se e fitoi pa të drejtë garën e fundit presidenciale, duke i shpërfillur thirrjet e opozitës për dialog.