Merkel merr vaksinën e Modernas, pas asaj të AstraZenecas
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka marrë vaksinën e kompanisë Moderna, si dozë të dytë kundër koronavirusit, ndonëse vaksina e parë ka qenë nga kompania AstraZeneca, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë gjermane.
Liderja 66 vjeçare u vaksinua disa ditë më parë, pasi mori një dozë të AstraZeneca në prill.
Ekspertët besojnë se përzierja e dozave të vaksinave anticovid mund të jetë një ide e mirë, por është shumë herët të thuhet me siguri.
Merkel do të largohet nga pozita e kancelares gjermane pas 16 vjetëve në pushtet.
Në mars, Gjermania, së bashku me vendet e tjera evropiane, ndaluan shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca pasi u raportuan një numër rastesh të mpiksjes së gjakut.
Gjermania më parë kishte kufizuar përdorimin e vaksinës në moshën mbi 60 vjeç , por tani është vendosur ta ofrojë atë për të gjithë të rriturit , raporton transmetuesi gjerman Deutsche Ëelle.
Pas një fillimi të ngadaltë, përhapja e vaksinimeve në Gjermani u përshpejtua javët e fundit.
Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit tani ka marrë dozën e parë të një vaksine.
Në prill, zëdhënësi i zonjës Merkel postoi në Twitter një foto të certifikatës së saj të vaksinimit për të treguar se ajo kishte marrë dozën e parë.
