Pesë vite pas referendumit Brexit/ Britanikët të shqetësuar për sovranitetin dhe politikat mbi territorin

Britania e Madhe votoi 5 vite më parë për të dalë nga Bashkimi Europian pas 43 vjetësh.Referendumi i 23 qershorit 2016 përfundoi me rezultatin 52 % pro dhe 48% kundër ndarjes me familjen europiane.

Ndërsa kampi pro bëri fushatë për daljen për t'i kthyer vendit pavarësinë vendimmarrëse dhe sovranitetin e dorëzuar dekada më parë, kampi kundër paralajmëroi mbi dëmet ekonomike dhe hodhi poshtë premtimet e palës tjetër se dalja faktikisht do i kursente para vendit.

Dominik Goudi, kreu i tregtisë me jashtë në Federatën Britanike të Ushqimeve dhe Pijeve, konfirmon se dyshimet qenë të drejta.

"Në tre muajt e parë të vitit patëm një impakt të madh në lidhje me eksportet drejt BE-së. Ato ranë me gati 47% dhe raportohen rreth 2 miliardë paund më pak shitje nga bizneset. Ndërkaq është rritur burokracia, mbetet sfidë e madhe futja në tregun e BE-së dhe vonesat."

Marrëveshja për daljen e Britanisë nga BE-ja u konkretizua janarin e shkuar pasi u kushtoi karrierën politike dy kriministrave britanikë, Dejvid Kameron dhe Tereza Meit, dhe i dha pushtetin kryeqeveritarit aktual, Boris Xhonson.

Sondazhet tregojnë se për Brexit-in qytetarët qëndrojnë të ndarë përgjysmë pro dhe kundër si përgjatë referendumit të 2016-ës.

"Unë nuk kam dashur as që të futeshim atëherë në union dhe jam e lumtur që dolëm. Mendoj se do t'ia dalim dhe do jemi mirë siç kemi qenë, me kohë të mira e të vështira."

"Pres të aplikoj për pasaportën irlandeze që të mos mbaj radhë në aeroporte dhe që të ndjehem akoma pjesë e Europës."

Brexit, thonë analistët, mbetet një çështje ideologjike dhe shumica e britanikëve nuk janë të shqetësuar nga situata me import-eksportet e ulëta me BE-në por nga idetë si sovraniteti dhe kontrolli mbi politikat dhe territorin.

Qeveria konservatore që ka tani pushtetin dhe që promovoi divorcin me BE-në po ashtu vijon të gëzojë mbështetjen e votuesve britanikë.