Pritet shtrenjtimi i naftës me daljen e shteteve nga izolimi prej pandemisë

Pritet shtrenjtimi i naftës me daljen e shteteve nga izolimi prej

Me daljen e shteteve nga izolimi prej pandemisë, bursat raportojnë çmime më të larta të karburanteve dhe shtim të kërkesës për këtë produkt.

Çmimi i naftës bruto ka arritur vlerën më të lartë në dy vite duke kapur pragun 74 dollarë fuçia.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, paralajmëron se kjo rritje pritet të reflektohet edhe te derivatet që shiten në vend.

“Sa i përket çmimeve në sektorin e naftës, çmimet variojnë prej pikës (së karburanteve) në pikë dhe sot një litër naftë është 1.03 euro deri 1.10 euro, benzina 1.07 deri 1.12 euro. Kështu që këto janë çmime. (Kompanitë) Veç kanë reflektuar, mendoj se derivatet me shumicë çmimet janë rritur, ndërsa me pakicë janë përafërsisht të njëjtat çmime, por në tregjet botërore veç ka reflektuar pritet edhe tek ne të reflektojë në ditët në vijim rritja e çmimit," tha Berjani.

Cilësia e hidrokarbureve që qarkullon brenda Kosovës kontrollohet dhe shënjohet nga një kompani e përzgjedhur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por Berjani thotë se interesi i saj është përfitimi dhe duhet rritur roli i shtetit.

“Ne e kemi ngritur zërin edhe për këtë problem dhe iu kemi drejtuar ish-kryeministrit, kryeministrit Kurti, ministres së MINT, Rozeta Hajdari. Shoqata e Naftëtarëve nuk është kundër markimit të derivateve të naftës, por ne jemi që Dogana e Kosovës të kryejë këtë punë siç e kryejnë të gjitha shtetet e botës dhe Evropës, e jo t’i jepet një kompanie private. Ajo kompani private e ka luajtur ‘lojën’ mjaft mirë, e ka këtë situatë lidhur me Arbitrazh.

Megjithatë, unë e parashoh pasi nuk është me ligj, me një udhëzim administrativ kjo kompani nuk mund ta fitojë Arbitrazhin, por gjithsesi se duhet të hetohen dhe merren parasysh të gjitha këto raste të cilat janë bërë deri më tani. Ajo kontratë (për markimin e karburanteve) duhet të shkëputet, ajo kontratë nuk mund të vazhdojë, dhe shoqata nuk do ta parasheh me ligj pigmentimin ose ngjyrosjen sepse Kosova është shtet i ri, mund të vazhdojë edhe pa të. Dhe në këtë mënyrë ajo kompani e autorizuar nuk do ta gëzojë këtë të drejt për të përfituar miliona euro," tha Berjani.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka ende shpresë për miratimin e legjislacionit të posaçëm për sektorin e hidrokarbureve.

“Të gjitha kërkesat tona, të naftëtarëve, të inkorporohen në Ligjin e naftës i cili është duke u draftuar dhe besoj se Ligji i naftës do të kalojë tash pas 12 viteve, pasi qe 12 vite për interesa personale Ligji i naftës nuk ka kaluar, tashmë burokracitë që kanë qenë deri më tash do të eliminohen," u shpreh Berjani.

Kosova nuk ka një rafineri nafte, ndaj çdo vit vendi importon rreth 650 milionë litra karburante, kryesisht nga Greqia, Serbia dhe Bullgaria.