Konfirmohet rasti i dytë i variantit indian të Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Është konfirmuar rasti i dytë i variantit indian të Covid 19 në Maqedoninë e Veriut. 

Bëhet fjalë për një pacient i cili ishte shtruar në një klinikë private në Shkup. 

Për momentin nuk dihet se ku e ka marrë ky person mutacionin e rrezikshëm, ndërsa informacioni u konfirmua nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce. 

"Dy ditë më parë, ne patëm një takim në kuadër procesit të Berlinit me Ministrin gjerman të Shëndetësisë dhe të gjithë ministrat nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Frika nga lloji indian ose ndonjë formë e re e mutacionit që mund të jetë më ngjitëse se ajo aktuale është kudo. Por është e rëndësishme që të gjitha vaksinat të mbrojnë kundër një forme të rëndë të sëmundjes apo edhe vdekjes. Deri më tani, testimet epidemiologjike që janë kryer kanë treguar se nuk ka rrezik dhe për këtë arsye nuk duhet të merren masa shtesë," - tha Ministri Filipce.

Rasti i parë i llojit indian të koronavirusit u zbulua në fillim të muajit qershor këtë vit. 

Autoritetet pastaj njoftuan se pacienti kishte qëndruar në Irak para se të mbërrinte në Maqedoninë e Veriut dhe kishte marrë trajtim për Covid atje për dhjetë ditë. 

Sapo arriti në Maqedoni, ai u transferua me ambulancë në një spital privat në kryeqytet.

Kohët e fundit, një rast i llojit nigerian u zbulua në vend nga një kolonel i ARM i cili u infektua në një mision në Republikën e Afrikës Qendrore. Pas 22 ditësh trajtim në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ai u la i lirë për mjekim në shtëpi.