Policia e Kosovës sekuestron mbi 82 kg marijuanë, armë, automjete dhe euro, arrestohen 6 persona
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Shtetit ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit.
Si rezultat u bë arrestimi i gjashtë personave të dyshuar dhe konfiskimi i mbi 82 kilogramë substanca narkotike, marijuanë.
Gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale në vendndodhje të ndryshme janë gjetur të fshehura në vende dhe mjete të ndryshme, provat e sekuestruara: 82 kilogramë e 914 gramë marijuanë; 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve; 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barut dhe sfera për municion të armës së gjuetisë.
Po ashtu janë sekuestruar: 1 armë e gjatë ‘AK- 47’ me një karikator, 1 revole ‘TT’ me një karikator dhe 6 predha (fishekë), 1 dylbi e armës së gjatë, 174 predha (fishekë), 5 vetura të ndryshme, 15.774,50 €, 20 franga zvicerane dhe barna të llojeve të ndryshme.

Arrestimi i personave të dyshuar është bërë mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Blerja ,posedimi shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja nën kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve”, “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore dhe pa banderolë” si dhe “Shmangia nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
Personat e dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 (dyzet e tetë) orë.