Kompjuteri i parë kuantik, kancelarja gjermane përuron “superkompjuterin” e parë në Europë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përuroi kompjuterin e parë kuantik të Gjermanisë, të ndërtuar nga firma amerikane IBM. Duke e cilësuar këtë moment si historik, Merkel tha se bëhet fjalë për një "mrekulli teknologjike" që mund të luajë një rol kryesor në teknologji dhe rritjen ekonomike.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përuroi kompjuterin e parë kuantik të Gjermanisë, të ndërtuar nga firma amerikane IBM, duke u shprehur se ky është një moment historik, në një kohë të "konkurrencës së fortë" me rivalët e huaj në shfrytëzimin e teknologjisë revolucionare.

Kompjuteri "Q System One", që u instalua në Stuttgart, është i pari i këtij lloji jashtë Shteteve të Bashkuara, si një bashkëpunim me institutin gjerman të kërkimit Fraunhofer.

Duke folur përmes një lidhje virtuale, Merkel e përshkroi superkompjuterin si një "mrekulli teknologjike" që mund të luajë "një rol kryesor në përpjekjet për sovranitet teknologjik dhe dixhital, dhe natyrisht për rritjen ekonomike".

"Ne tashmë jemi në mes të një konkurence intensive dhe Gjermania do të donte të thoshte një fjalë të rëndësishme," tha udhëheqësja veterane, e cila është diplomuar në kiminë kuantike.

Merkel tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara tashmë po investonin shumë si në kërkimin kuantik ashtu edhe në aplikimet e saj të mundshme tregtare. Autoritetet franceze njoftuan investime prej 1.8 miliardë eurosh për pesë vjet në janar dhe Gjermania do të japë dy miliardë për ndërtimin e një kompjuteri kuantik deri në vitin 2025.

Shkencëtarët besojnë se sapo teknologjia të jetë “pjekur”, informatika super e shpejtë kuantike do të fuqizojë inovacionin në një sërë fushash, nga programi inteligjent i kriptimit dhe inteligjencës artificiale te kërkimi mjekësor më efikas dhe deri te përdorimi i energjisë.