EURO 2020, Sllovakia bën surprizën në Grupin E, mposht 2-1 Poloninë
Ndoshta në letër ishte ekipi më i dobët në Grupin E të Kampionatit Europian por Sllovakia bën surprizën në takimin e parë duke fituar 2-1 ndaj favoritëve të Polonisë.
Me Lewandowskin e të tjerët në fushë, polakët ishin shumë të favorizuar për të fituar madje për të kaluar më tej por ja që futbolli është I paparashikueshëm.
Në “Gazprom Arena” të Shën Petërsburgut, ndeshja nisi me dominimin e Polonisë në lojë e në qarkullim teksa një aksion individual i Robert Mak nga e majta në minutën e 18’ shndërrohet në gol falë edhe gafës së Szczesny që e shtyu topin në rrjetë.
Edhe pse në disavantazh, skuadra e drejtuar nga Paulo Sousa nuk demoralizohet dhe sulmon me Krychowiak që i afrohet barazimit e nga ana tjetër Sllovakia mund të përfitonte edhe në kundërsulme dhe nuk shënoi.
Pjesa e dytë nis me një tjetër hap për Poloninë që gjen menjëherë barazimin në minutat e para me Karol Linetty me një gjuajtje me të majtën.
Goli frymëzon Lewandowskin me shokë të rrisin presionin për golin e dytë teksa marrin një goditje kur Krychowiak merr kartonin e dytë të verdhë në momentin më të mirë të skuadrës duke i lënë me 10 lojtarë.
Slovakia përfiton nga situate dhe në 69’ nga zhvillimet e një goditjeje nga këndi, Marek Hamsik jep një asist për Milan Skriniar i cili me të djathtën i jep avantazhin ekipit të tij.
Një humbje e tillë kompromenton shumë kualifikimin e Polonisë më tej që gjithsesi janë edhe dy ndeshje të tjera por rivalët do të jenë edhe më të vështirë si Suedia dhe Spanja.
