Varfëria lë 3 fëmijët e familjes në Petrelë analfabetë, babai apelon për ndihmë
Familja Troci në Petrelë jeton mes vështirësive të shumta jo vetëm ekonomike,por dhe problemeve të shumta shëndetësore. 3 fëmijët e kësaj familje, tani në moshë madhore , janë analfabetë edhe pse dëshira për shkollim nuk ka munguar.
"Zemra ime edhe shpirti im, kur më janë bërë fëmijët kështu, më mirë nuk e dua veten fare në këtë mes."
Kjo është plaga që dhemb më shumë për Avni Trocin,babanë e 4 fëmijëve, 3 prej të cilëve janë analfabetë. Varfëria ua ka privuar këtë të drejtë.
"Nuk dinë ditët e javës, fëmijët e mi nuk njohin lekët dhe nuk kanë as shtëpi as katandi. Unë si bana ndihem shumë keq me veten time."
Nën peshën e kryefamiljarit, Avniu tregon krahas vështirësive ekonomike,për problemet e shumta shëndetësore.
"Vetë isha i sëmurë shumë edhe fëmijët nuk kisha mundësi t'i çoja në shkollë. Ishim pa bukë, vetëm kur më sillnin një copë bukë, ose më sillnin ushqim. Nuk dinë të festojnë një festë, nuk dinë të hanë një gjë. Djali qëkur ka qenë i vogël nuk ka folur, nuk ka dëgjuar dhe nuk ka shqiptuar asnjë fjalë edhe ka pasur edhe dhimbje koke jashtë mase," thotë babai.
Ky është Mevlani,23 vjeç. Ai kurrë nuk ka shkuar në shkollë edhe pse dëshira nuk mungon.
"Nuk njoh asnjë shkronjë, nuk di të lexoj. Do shkoj në shkollë po mu dha mundësia," thotë 23-vjeçari.
I ati apelon për ndihmë.
"Kush ka mundësi të më ndihmojë për këtë gjendje familjare që kam," thotë kryefamiljari.
Familja Troci në Petrelë jeton prej shumë kohësh mes varfërisë dhe jetës së vështirë që nuk është treguar dhe aq bujare për këta 6 pjesëtarë.
