Zef Hila "mund" Ramën në Gjykatë Kushtetuese, shfuqizohet vendimi për shkarkimin e tij si kryebashkiak

Gjykata Kushtetuse ka rrëzuar vendimin e korrikut të vitit 2019, të Kryeministrit Edi Rama, kur shkarkoi Zef Hilën, nga posti i kryebashkiakut të Vau i Dejes. 

Vendimi i Kryeministrit, u ndërmor pas protestave për pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve të njëanshme vendore dhe djegies së materialeve zgjedhore në KZAZ e kësaj njësie vendore.

Gjykata Kushtëtuese, në vendimin e arsyetuar thotë se shkarkimi dhe procedura emergjente e përdorur nga Këshilli i ministrave nuk ka bazë e as arsye. 

Referuar edhe padisë, organi më i lartë për mbrojtjen e Kushtetutës argumenton se vendimi i Kryeministrit ndryshe nga sa percakton ligji ka dalë pa u zhvilluar një mbledhje e Këshillit të Ministrave.

Gjithashtu Gjykata argumenton se vendimi për të shkarkuar kryebashkiakun Hila është berë në mënyrë urgjente, duke mos i dhënë këtij të fundit mundësinë as të njihet e as të dëgjohet mbi shkeljet e pretenduara.  

“Gjykata konstaton se aktet e paraqitura nga subjekti i interesuar, duke përfshirë edhe shpjegimet në seancë, nuk argumentojnë mjaftueshëm dëmin urgjent që i vinte interesit publik nëse ndaj kërkuesit do të ishte ndjekur një procedurë normale disiplinore, me të cilën t’i jepej koha e duhur për t’u njohur me aktet dhe për të paraqitur shpjegimet e tij” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese me nr 25 që mban datën 10 qershor 2021. 

Pro vendimit për të rrëzuar Këshillin e Ministrave kanë votuar 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja dhe Përparim Kalo ndërsa gjyqtarët  Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Altin Binaj, kanë qenë pro vendimit të Këshillit të Ministrave.

Padia

Zef Hila me përfaqësues ligjor Jordan Daci i kërkoi Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 445, datë 28.06.2019 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, z. Zef Hila”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Këshilli i Ministrave kërkoi rrëzimin e kërkesës. Relatore e çështjes ishte Marsida Xhaferllari. 

Çfarë ka ndodhur

Zef Hila u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2015.

Më 28 qershor 2019 u u shkarkua me vendim nr. 445 me motivacionin “për shkak të shkeljeve të rënda.

Më 10 qershor 2019 presidenti shfuqizoi dekretin e tij të datës 5 nëntor 2018 ë caktonte 30 qershorin 2019 mbajtjen e zgjedhjeve vendore duke shprehur shqetësime për sigurinë publike dhe përgjegjësinë e tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizmin. Ai  caktoi datën 13 tetor 2019 për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Kuvendi e deklaroi të pavlefshëm këtë dekret dhe ndërmori një procedurë hetimore për shkarkimin e Presidentit nga detyra.
KQZ pavarësisht këtij dekreti, s’u ndal dhe vijoi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor.

Shkurt 2019 Opozita u tërhoq nga Kuvendi dhe vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

Shkurt 2019 në Tiranë filluan protesta të vazhdueshme të opozitës kundër Kryeministrit, të cilat u shenjuan shpesh nga dhuna dhe vandalizmi i drejtuar kundër institucioneve shtetërore.

27 qershor 2019 në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës u organizua një tubim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, për të shprehur pakënaqësinë për mosrespektimin e dekretit të Presidentit të Republikës që kishte ndryshuar datën e zgjedhjeve vendore.
Gjatë tubimit pati përplasje midis Policisë së Shtetit dhe pjesëmarrësve në tubim, si dhe iu vu zjarri materialeve zgjedhore të KZAZ-së nr. 6 (të vendosur në ambientet e një shkolle), të Bashkisë së Vaut të Dejës. 

28 qershor 2019 Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Brendshëm,  atëherë Sandër Lleshaj mori vendimin për shkarkimin detyra të kryetarit të bashkisë Vau i Dejës, z. Zef Hila”, me motivacionin “për shkak të shkeljeve të rënda”. Vendimi u botua në Fletoren Zyrtare në datën 02.07.2019.

15 Korrik 2019 Për këtë ngjarje u paraqit kallëzim penal dhe u mor në pyetje dhe Zef Hila në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Por me vendimin nr. 1248, datë 15 korrik 2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër vendosi “mosfillimin e procedimit penal” ndaj kërkuesit, me arsyetimin se mungonin elementet e veprës penale.

30 qershor 2019 zgjedhjet vendore u zhvilluan pa pjesëmarrjen e partive kryesore opozitare dhe Zef Hila  si përfaqësues i një prej këtyre partive opozitare nuk kandidoi.

5 korrik 2019 ai paraqiti ankimim në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata)

12 shkurt 2020 u vendos nga Kolegji kalimi i çështjes për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin e datës 09 shkurt.2021, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

10 qershor 2021 Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e kryeministrit Rama për shkarkimin e Zef Hilës nga posti i kryetarit të bashkisë së Vau i Dejës  

Dosjet e tjera

Me 23 qershor Gjykata Kushtetuese do të marrë në dorë edhe fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ku do të shqyrtoje padinë e shoqatës së bashkive që kërkon anulimin e tyre si antikushtetuese.

Ndërkohë kjo trupë në ditët e ardhshme do të shprehet edhe për çështje të tjera të debatit politik siç është ajo e prishjes së Teatrit Kombëtar.

Dokumenta bashkëngjitur