Mbushi makinën me marijuanë në Shqipëri, pranga 40-vjeçarit kosovar në Vermicë, reagon Ministri
Nuk ndalet trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Kosovës. Një 40-vjeçar nga Kosova me iniciale u kap me 30 kg marijuanë në makinën e “Fiat Croma” ndërsa vinte nga Shqipëria. Arrestimi i tij u bë mbrëmjen e të hënës, 31 maj, në pikën kufitare të Vermicës.
Mbi operacionin reagoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.Nëpërmjet një reagimi në “Facebook” Sveçla ka thënë se Kosova do të jetë zonë e ndaluar e trafiqeve ilegale.
“Mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë janë konfiskuar 30 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka arrestuar personin nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”. Ashtu siç jemi zotuar, lufta kundër trafikimit të të gjitha llojeve do të vazhdojë me intensitet edhe më të shtuar. Kosova do të jetë zonë e ndaluar e trafiqeve ilegale”, ka shkruar Sveçla.


