"Gjysmën e fermës e gjeta nën ujë", Zelanda e Re në emergjencë nga shirat

Zelanda e Re ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve që konsiderohen të rralla në 100 vitet e fundit.

Rajoni i Kantërbërit u godit më fortë nga shirat e rrëmbyer dhe parashikimet janë që në zonat e brendshme të bien deri 300 mm reshje.

Ujërat vërshuan në fundjavë në rrugët e banesat në lindje të vendit, duke detyruar evakuimin e mbi 3,000 familjeve.

Në disa zona ushtria ndërhyri me helikopterë.

Pati edhe femerë që rrezikuan jetën për të shpëtuar kafshët.

"U shtriva në orën 10 të natës dhe nuk pashë shenjë lumi. Sot, në 6 të mëngjesit gjysmën e fermës e gjeta nën ujë."

Autoritetet thonë se dalja e lumenjve nga shtrati mbetet kërcënimi më i madh për komunitetin në qendër dhe lindje të Zelandës së Re.

Qeveria zelandeze, ndërkohë, thotë se është herët të flitet për dëmet por ka nisur t'u shpërndajë ndihmat e para më të prekurve.