Danimarka ndihmoi SHBA-të të përgjojnë liderët europianë, përfshirë kancelaren Merkel

Amerika përdori shërbimet sekrete daneze për të vënë në funksion sistemin e saj të gjerë të spiunimit, duke rrezikuar një skandal diplomatik. Kancelarja gjermane, Merkel, presidenti gjerman dhe politikanë të ndryshëm ranë pre e përgjimit ndërsa pretendohet se presidenti amerikan, Bajden, ka pasur rol në ngritjen e sistemit.

Shërbimet sekrete daneze mendohet se kanë ndihmuar Amerikën që të përgjojnë liderët europianë, si kancelaren gjermane Angela Merkel apo presidentin e Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmajer.

Informacioni iu zbulua të dielën gazetarëve të medieve daneze, suedeze dhe norvegjeze nga burimet brenda Shërbimit Danez të Zbulimit.

Skandali se Amerika spiunonte shtetet aleate u bë i njohur për publikun që në vitin 2013, por vetëm tani kanë dalë detaje se Agjencia amerikane për Sigurinë Kombëtare e kishte realizuar skemën e saj me danezët.

Vetë qeveria e Danimarkës u vu në dijeni të lidhjeve në vitin 2015.

Bashkëpunimi mes dy shërbimeve dyshohej që nga 2012-ta dhe pasi ish-agjenti amerikan, Eduard Snouden, denoncoi faktin se vendi i tij kishte ngritur një sistem të avancuar përgjimi të telefonit dhe internetit, ku subjekte ishin edhe politikanë suedezë, norvegjezë, holandezë, francezë e gjermanë.

Snoudeni akuzoi të dielën presidentin e tij, Xho Bajden, se kishte rol në skandalin e kohës.

"Bajdeni e di mirë si t'i përgjigjet kësaj teme kur të vizitojë së shpejti Europën, pasi, sigurisht, ai atëherë ishte i përfshirë thellësisht në këtë skandal. Informacionet i duhen zbuluar plotësisht publikut jo vetëm nga Danimarka, por edhe nga partneri i saj kryesor," shkroi informatori amerikan i cili tani jeton si azilant në Rusi.