Kina heq kufirin, 3 fëmijë për familje

Kina ka hequr dorë nga masa që pengonte rritjen e popullsisë, dhe tashmë çiftet kineze do të lejohet të lindin deri në tre fëmijë, nga dy apo një fëmijë që ka qenë rregulli nga vitet 1980. Vendi ka problemin më të madh, plakjen e popullsisë.

Kina ka propozuar politika për një familje më të madhe, teksa po jepen shenjat e para të plakjes së popullsisë më të madhe në botë.

Byroja Politike e Partisë Komuniste, e udhëhequr nga presidenti Shi Xhinping, deklaroi të hënën se për të përmirësuar strukturën demografike, çiftet kineze do të lejohen të lindin deri në tre fëmijë, nga 2 fëmijë që ka qenë rregulli prej 2016-ës apo 1 fëmijë për familje përpara tij.

Vendimi vjen pasi Byroja e Statistikave pranoi së fundmi se popullsia kineze po rritet ngadalë.

Lindshmëria e ulët paraqitet si problemi kryesor: në 2020-ën nënat kineze lindën 12 milionë foshnja nga 14,65 milionë në vitin 2019, apo 18 për qind më pak nga viti në vit.

Norma e fekonditetit është problematike, po ashtu, 1,3 fëmijë për grua nga 2,1 fëmijë për grua që kërkon një popullsi e qëndrueshme.

"Mendoj se është politikë e mirë sepse plakja e popullsisë është mjaft serioze. Duhet të ishte bërë më herët. Çiftet si ne me një fëmijë e kemi pritur ditën për një tjetër."

"Duhet të ketë politika të tjera mbështetëse që qytetarët të lindin më shumë. Duhen përkrahur me arsim, mjekësi dhe punësim."

OBSH-ja parashikon që deri në vitin 2040, popullsia kineze të plaket më shumë me moshat mbi 60 vjeç që do të shtohen me 28 për qind.

Censusi i fundit tregoi se për shkak të politikës së mëhershme të 1 fëmije për familje dhe prej kulturës së përgjithshme kineze, meshkujt i kaluan femrat për nga numri.

Popullsia e Kinës arriti 1 miliard e 411 milionë banorë.