Kryeministri izraelit rrezikon pushtetin, rivalët po bëhen bashkë për ta larguar
Izraeli po përgatitet për formimin e një qeverie të re, pa kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Kryetari i partisë nacionaliste, Naftali Benet, tha të hënën se ka vendosur të bashkëpunojë me liberalët për të hequr nga pushteti Netanjahun.
Në tryezat e përbashkëta janë edhe dy partitë "Shpresa e Re" dhe "Bardheblu" të cilat kanë kohë deri të mërkurën për marrëveshjen.
"Çdo parti është e ftuar të na bashkohet për qeverinë. Askush nuk po i kërkon askujt që të heqë dorë nga vijat e veta ideologjike. Por o do kemi një qeveri uniteti ose do shkojmë në zgjedhje për herë të pestë."
Sipas një konsensusi paraprak, Beneti dhe lideri i partisë "Për të ardhmen", Jair Lapid, do e ndërrojnë postin e kryeministrit me rotacion.
Qeveria e re shpresohet ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik që vazhdon prej dy vitesh, pasi për katër herë me radhë kryeministri Netanjahu nuk po siguron dot aleatë për shumicën qeverisëse.
Përpjekjet e tij për aleanca i kanë dëmtuar proceset e ndryshme gjyqësore ku akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Kryeqeveritari që udhëheq Izraelin për 12 vite tha të dielën se rivali i tij, Benet, nuk do e ketë të gjatë pushtetin pasi partia që ai drejton do ta pengojë në çdo rast në parlament.
"E dëgjova Naftali Benetin. Fatkeqësisht vazhdon ta mashtrojë publikun me të njëjtat gënjeshtra e slogane boshe me urrejtje e përçarje. Është mashtrues sepse vetëm një ditë më parë doli në televizor dhe tha se nuk ka për ta lejuar Jair Lapidin të bëhet kryeministër, as me rotacion. Kjo qeveri do të ishtë rrezik për sigurinë e Izraelit dhe është rrezik edhe për të ardhmen e shtetit."
Liberali Jair Lapid ka mandat për të gjetur shumicën qeverisëse brenda 2 qershorit, ndryshe parlamentit do i lihet 21 ditë kohë të caktojë kryeministrin ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, të pestat në dy vite e gjysmë.


